Kosova, 7 vjet pavarësi; krerët e shtetit nderojnë të rennet

Postuar në 17 Shkurt, 2015 05:43

Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se, këto homazhe janë në nder të "ideatorit të pavarësisë", ndërsa shtoi se sot Kosova ka perspektivë të qartë evropiane. 

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa e cilësoi Rugovën si njeriun që hodhi themelet e pavarësisë. "Ne vlerësojmë kontributin e tij që ky shtet të jetë demokratik dhe që ne të mburremi me të", tha Mustafa. 

Axhenda ka vijuar me homazhet në nder të komandantit Adem Jashari në Prekaz. Presidentja Jahjaga deklaroi se, vizitoi Prekazin për të bërë nderimet institucionale dhe njerëzore për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për pavarësinë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Mustafa, i cili e cilësoi familjen Jashari si "simbol të ekzistencës së Kosovës". 

Nuk munguan homazhet edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. "Urime qytetarëve të Kosovës, urime shqiptarëve, urime liridashësve. Faleminderit atyre që u flijuan për këtë ditë, të cilën e shohim edhe si një mesazh se na presin shumë punë përpara. Siç kemi ditur dikur në kohë të vështira, edhe tani të gjejmë forcën që të ecim përpara", tha Haradinaj. 

Më vonë, në sheshet qëndrore të Prishtinës do të interpretojë Ansambli Shota. Në axhendën festive të qeverisë përfshihet si eveniment edhe ndarja e çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës. 

Ndërsa siç është traditë, në orën 15 do të mbahet edhe një seancë solemne e Kuvendit. Pas një pritjeje nga presidentja dhe kryeministri, mbrëmja festive zyrtare do të mbyllet me ndezjen e organizuar të fishekzjarreve në qendër të Prishtinës. 

Një ditë më parë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama uroi presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga për këtë 7-vjetor. Në mesazhin e tij, Obama vlerësoi përparimin e Kosovës në këto 7 vite pavarësi dhe rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes së administratës amerikane. 

"Çdo vit, vazhdoj të impresionohem me përparimin e Kosovës si një demokraci sovrane dhe shumetnike. Zgjedhjet historike parlamentare në qershor i dëshmuab botës përkushtimin e Kosovës për proceset demokratike në të gjithë vendin. Ju përgëzoj për lidershipin dhe këmbëngulësinë në punën tuaj me udhëheqësit partiakë gjatë procesit të zgjatur të krijimit të qeverisë”, tha Obama në mesazhin e tij. 

Presidenten Jahjaga e uroi edhe mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeta e Dytë. Me anë të një mesazhi, monarkja i shprehu popullit të Kosovës dëshirën e saj për prosperitet gjatë vitit në vijim. 

“Kam kënaqësinë që t’i dërgoj Shkëlqesisë Suaj përshëndetjet e mia më të ngrohta në festimin e Ditës tuaj Kombëtare, bashkë me dëshirat e mia më të mira për lumturinë dhe prosperitetin e popullit të Kosovës gjatë vitit në vijim”, thuhet në letrën e urimit të mbretëreshës.

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.