Kontrata e re e energjisë, sanksione më të rrepta ndaj CEZ-it

Faturimi i energjisë elektrike dhe marrëdhëniet mes CEZ Shpërndarje dhe konsumatorëve pritet të jenë më të rregullta gjatë këtij viti. Duke parë ankesat e shumta dhe konfliktet që në shumë raste kanë përfunduar në gjykata, Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar para disa javësh formatin e ri të kontratës mes CEZ dhe konsumatorëve.
Kontrata e re parashikon që në rast vonese në shlyerjen e detyrimeve, CEZ të mos faturojë me më shumë se 0.1 përqind të vlerës së faturës për çdo ditë vonesë. Më parë ky sanksion ishte 1 për qind.
"Kontrata e cila është në fuqi për çdo ditë mospagesë që kalon mospagesën e datës kur është caktuar ka 0.5 përqind në ditë të vlerës së faturës dhe jo më shumë se sa vlera totale e asaj fature e cila është debitore. Në draftin e ri është planifikuar që të jetë 0.1 përqind në ditë të vlerës së faturës. Gjithashtu po shihet mundësia që të mos jetë në masën 100 përqind të vlerës së faturës debitore. Faturimi do të jetë tridhjetëditor dhe do të lexohet përkatësisht në datat 28, 29, 30 dhe sipas rastit 31 të muajit aktual"- tha drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë, Eduart Elezi.
Gjatë vitit që lamë pas ka pasur mijëra ankesa për futje në faturë të ditëve jashtë periudhës një mujore. Kontrata e re pritet ta rregullojë faturimin e padrejtë. Tjetër lajm i mirë për këtë vit dhe dy të tjerët që pasojnë është që për konsumatorët familjarë nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë.
Enti Rregullator vendosi që për periudhën 2012-2014 familjarët të paguajnë 7 lekë e 70 qindarka për bllokun deri në 300 kilovat orë konsum mujor dhe 13 lekë e 50 qindarka për konsumin mbi këtë fashë. Për kategoritë e tjera të konsumatorëve çmimet variojnë nga 10 deri në 16 lekë për kilovat orë.
Në të gjithë Shqipërinë janë rreth 900 mijë konsumatorë të energjisë elektrike. Në vitin 2010 rreth 55 për qind e energjisë elektrike që u hodh në rrjet u përdor nga familjarët. Rrethi që konsumon më shumë është Tirana.
Florian PapadhimitriAlbanian Screen
Add new comment