Kongresi i PS, votohet sot programi e statuti
1500 delegatë socialistë mblidhen sot në Pallatin e Kongreseve për të votuar programin e ri politik të Partisë Socialiste si dhe ndryshimet në statutin e saj. Po kështu këta delegatë do të votojnë sot për të zgjedhur edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Burimet zyrtare nga PS bënë të ditur dje, se do të jetë sekretari organizativ, Blendi Klosi ai që do të hapë Kongresin. Më pas do të nisë prezantimi i 4 shtyllave kryesore të programit politik të PS-së. Pjesa e parë, e titulluar “Rimëkëmbje e Ekonomisë” do të prezantohet nga deputetja Mimi Kodheli. Pjesa e dytë, e titulluar “Ripërtëritje e shoqërisë” do të prezantohet nga Valentina Leskaj”. Më pas do të prezantohet nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, pjesa e tretë e titulluar “Rivendosje e demokracisë”. Ndërkohë, pjesën e katër të titulluar “Ribashkim me Evropën” do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati.
Pas këtij prezantimi pritet të marrë fjalën kryetari i PS-së, Edi Rama. Mësohet se më pas, punimet e Kongresit do të vijojnë me përshëndetjet e partive aleate, nga Internacionalja Socialiste, Partia e Socialistëve Evropianë dhe partnerë të tjerë të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Më tej, punimet e Kongresit do të vijojnë me diskutimet e lira të delegatëve të PS-së.
Në këtë pikë pritet që të ketë edhe ndërhyrje të deputetëve kundërshtarë. Mësohet se Arben Malaj ka përgatitur të mbajë fjalën e tij, në lidhje me demokratizimin e partisë, duke prekur çështje, të cilat janë diskutuar edhe gjatë turit të tij, në takimet me të rinjtë nëpër Shqipëri. Në vijim punimet e Kongresit do të merren me diskutimin e ndryshimeve statutore, të cilat do të kalohen nen për nen duke marrë parasysh edhe propozimet e delegatëve. Në fund fare, delegatët do të nisin votimin për Komisionin e Garancive Statutore dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Burimet bëjnë të ditur se ndër emrat e kandidatëve që janë futur rishtas në këtë forum të lartë është edhe ai i diplomatit, të shkarkuar pak kohë më parë, Dritan Hila.
Por mësohet se do të ketë mes kandidatëve edhe figura të tjera nga shoqëria civile dhe anëtarësia e PS-së, emra të propozuar edhe nga vetë deputetët sipas zonave. Tashmë përfaqësia e Kongresit ka hartuar një listë me emra, por gjatë punimeve të Kongresit mund të ketë prurje të reja, sipas propozimeve të delegatëve. Asambleja Kombëtare duhet të ketë një numër më të madh anëtarësh të zgjedhur me votë të fshehtë në krahasim me ata që futen drejtpërdrejt nga funksionet që mbajnë.
Por, sërish pritet të jetë pjesë e forumit, ish-kryetari Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, 64 deputetët, mes të cilëve edhe kundërshtarët e Ramës, etj. Më tej, do të jetë Asambleja e re, e cila do të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët që do të jenë stafi më i afërt i kryetarit Edi Rama.
balkanweb.com
Add new comment