KLD: Qeveria kërkon kontrollin politik të sistemit të drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Elis Kuçi, zëdhënësi i KLD-së tha se këto qëndrime janë pjesë e skenarit të parapërgatitur për kontrollin politik të sistemit të drejtësisë.
“Nuk pajtohemi dhe shprehim indinjatën ndaj Ministrit të Drejtësisë. Këto qëndrime janë pjesë e skenarit të parapërgatitur për kontrollin politik të sistemit të drejtësisë. Kemi qenë gjatë gjithë kohës në funksion të plotë të detyrës.Kemi penalizuar dhe do vijojmë të penalizojmë ashpër e bazuar në prova gjyqtarët që shkelin ligjin. Ministri i Drejtësisë sot bëri vetëm agjitacion dhe propagandë me justifikimin e luftës kundër korrupsionit”, ka thënë Elis Kuçi, zëdhënësi i KLD-së
Deklarata e plotë e KLD
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk pajtohet aspak dhe shpreh indinjatën e tij të thellë ndaj deklarimeve të sotme të Ministrit të Drejtësisë dhe qëndrimit të shprehur nga selia e Kryeministrisë. Këto qëndrime janë hapi i radhës në skenarin e parapërgatitur për kontrollin politik të sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë siguron opinionin publik se veprimtaria vendimmarëse e tij, ka qënë në përputhje të plotë me kuadrin ligjor në fuqi.
Prej dy vitesh tashmë, Këshilli është i vendosur të forcojë rezultatet e procedurave disiplinore, në funksion të rritjes së përgjegjshmërisë së sistemit dhe luftës kundër korrupsionit.
Prej dy vitesh tashmë, Këshilli ka penalizuar dhe do vijojë të penalizojë ashpër bazuar në prova dhe fakte, gjyqtarët që shkelin ligjin. Këtë e tregojnë rezultatet e prekshme të pranuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Sot, Ministri i Drejtësisë bëri agjitacion e propagandë duke dhënë publikisht vendim fajësie për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe të gjithë gjyqtarët e këtij vendi, me justifikimin e luftës kundër korrupsionit. Stili i tij propagandistik do t’i bënte zili edhe ish-byrosë politike të Partisë së Punës së Shqipërisë.
E vetmja gjë qesharake në seancën e djeshme plenare të KLD, ishte në fakt performanca e Ministrit të Drejtësisë, i cili nuk arriti dot të provonte faktet e pretenduara ndaj gjyqtarëve në procedim disiplinor si dhe përmbushjen e kushteve ligjore për shkarkimin e tyre nga detyra.
Ministri gënjeu publikisht për rrethanat dhe faktet e cështjeve të trajtuara dje në Këshill,
Ministri gënjeu publikisht kur tha se kishte paraqitur prova për fajësinë e gjyqtarëve në seancën e djeshme të KLD.
Ministri gënjeu publikisht kur tha se nuk ka transparencë në KLD pasi nuk mbahen procesverbalet e mbledhjeve.
Ministri gënjeu publikisht edhe kur tha se ka marrë mendim nga Komisioni i Venecias për ndërhyrjet antikushtetuese në ligjin për KLD.
Sqarojmë opinionin publik se e gjithë kjo fushatë denigrimi ndaj institucionit kushtetues të KLD, e mirëllogaritur dhe e nisur prej kohësh, është një farsë tragjikomike e cila fsheh në vetvete qëllimin për të kontrolluar politikisht cdo institucion dhe cdo individ që ka sot një detyrë publike.
KLD i bën thirrje qeverisë të ndalojë sulmet politike publike dhe të lejojë gjyqësorin të zhvillojë i pandikuar proceset gjyqësore ndaj eksponentëve politikë të mazhorancës.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë i bindur se veprimtaria e tij është e bazuar në Kushtetutë dhe në ligj, shpreh besimin se partnerët ndërkombëtarë, do të ndjekin nga afër zhvillimet e fundit shqetësuese që po kërcënojnë seriozisht respektimin e shtetit ligjor në Shqipëri
Add new comment