Keqtrajtoi me shkop bejsbolli shoferin, 45 orë punë policit
Një efektiv policie është dënuar nga gjykata e Tiranës pasi ka rrahur me shkop bejsbolli shoferin e një betoniere. Xhevdet Dedja është shpallur fajtor dhe dënuar me 45 orë punë të detyrueshme pasi në mujin prill ka rrahur shtetasin Gentjan Beqirllari. Fillimisht gjykata e ka dënuar me 2 muaj burg efektivin e policisë, por më pas ky dënim është konvertuar në një dënim me kusht, duke e detyruar të dënuarin të kryejë 45 orë punë të detyruar pranë një ndërmarrje shtetërore. Gjatë procesit gjyqësor polici nuk ka pranuar në asnjë moment keqtrajtimin e qytetarit, por në momentin e arrestimit kolegët e tij i kanë sekuestruar brenda në makinë dhe shkopin e bejsbollit. Sipas vendimit të gjykatës, Xhevdet Dedja, ka qenë i dehur në momentin kur ka keqtrjatuar qytetarin, ndërkohë që ky fakt është argumentuar nga polici se kishte pirë vetëm disa birra në Petrelë,dhe këtë gjë e kishte kryer jashtë orarit të punës.
I dëmtuari muajin prill 2014 në orën 14:30, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij tip betoniere me targa TR 1065 N në pronësi të firmës “Alba Beton” nga kantieri që ndodhet në vendin e quajtur “Ura e Farkës”, për në resortin “Palma Nova”. Në vendin e quajtur Dobresh, përgjatë rrugës dytësore Farkë Qafë-Kërrabë, shtetasit Gentjan Beqirllari i ka bërë me shenjë nëpërmjet borisë që të ndalonte një mjet i tipit “Benz 200”, model i vjetër, ngjyre gri. Shtetasi Gentjan Beqirllari ka ndaluar mjetin dhe ka parë që nga automjeti tjetër që i bëri shenjë ndalimi ka zbritur një person me uniformë policie i cili e ka pyetur shtetasin Gentjan Beqirllari se ku do të hidhte beton. Shtetasi Gentjan Beqirllari e ka vënë në dijeni punonjësin e policisë për punën që do të kryente, ndërsa punonjësi i policisë i është përgjigjur se nuk lejohej të hidhej beton për shkak se ishin ndërprerë punime të tilla.
Shtetasi Gentjan Beqirllari ka vënë re së punonjësi i policisë kishte konsumuar alkool dhe kur ky i fundit i ka kërkuar dokumentet e mjetit, ai nuk ka pranuar t’ia japë punonjësit të policisë. Në këtë situatë, punonjësi i policisë i nervozuar ka shkuar tek mjeti i tij, nga i cili ka nxjerrë prej bagazhit të tij një shkop si ai i bejzbollit, ngjyre kafe dhe me të në dorë ka hapur derën e mjetit ku ndodhej shtetasi Gentjan Beqirllari, duke e goditur disa herë këtë të fundit me qëllim që ta zbriste nga mjeti.
Add new comment