Kastrati: Olsi Rama s'ka lidhje me dronin, autorët i njihni më 23 tetor.

Postuar në 21 Tetor, 2014 02:42

“Ju garantoj se vëllai i kryeministrit, Olsi Rama nuk ka lidhje me dronin e ngritur në stadiumin e Partizanit të Beogradit. Unë e di kush e ka ngritur donin. Nuk ka lidhje Olsi Rama me autorët e vërtetë. Spekullimet që janë bërë nga serbët janë lajthitje të mediave të Beogradit”. Ky është reagimi që ka bërë kreu i tifozerisë së Plisave të Prishtinës në një intervistë për gazetën “Shekulli”.

Keni deklaruar para ndeshjes Serbi Shqipëri se do të jeni në Beograd. A ishit në Beograd?
 Jo nuk ishim në Beograd. Është bërë shumë propagandë nga mediat serbe që ne të mos shkojmë dhe e kishim të pamundur të ishim atje. Edhe pse dëshira jonë ishte që të shkonim në Beograd, qoftë edhe në mënyrë ilegale, por rrethanat u krijuan që të mos shkonim. 

Kush e ngriti flamurin dhe a jeni të përfshirë dhe ju? 
Ne nuk ishim pjesë e ngritjes së dronit. Nuk di çfarë të them për ata djemtë që e kanë bërë atë gjest. Ishte një gjë e jashtëzakonshme. “Hallall” iu qoftë. Është një gjë që na ka bërë krenarë të gjithëve. 

Ju personalisht i njihni personat që pretendojnë se e kanë ngritur flamurin mbi qiellin e stadiumit të Partizanit në Beograd? 
Nuk i njoh personalisht. Por kam përshtypjen që i kam parë nga larg në Slloveni, ditën kur Shqipëria ka luajtur me Slloveninë. Atë ditë njëri nga ata ka vendosur flamurin shqiptar në një lartësi të madhe dhe shumë të rrezikshme. Të them të drejtën kontakte me ta nuk kam pasur. 

Ju më herët thatë se dihet autori i ngritjes së dronit. Jeni i sigurtë se personi që ka komanduar dronin mbi stadiumin e Partizanit të Beogradit është I. M., pasi deri tani deklaratat kanë qenë kontradiktore?
Pas datës 23 do të dalin të gjithë personat që e kanë organizuar ngritjen e dronit. Unë di të them kaq. Personin që ka bërë atë akt do ta njihni pas disa ditësh. 

Grupin që ka organizuar skenarin e dronit po e mbajnë të fshehtë deri në shpalljen e vendimit të UEFA-s? 
Pas vendimit të UEFA-s, do të dalin të gjithë emrat e personave që e kanë organizuar. Ata do të tregojnë me hollësi të gjithë rrugën që kanë ndjekur për të ardhur deri në Beograd. Po ashtu ata do të rrëfejnë edhe mënyrën se si e kanë lëshuar dronin dhe nga e kanë komanduar. 

Sa janë gjasat që vëllai i kryeministrit të ketë gisht në këtë ngjarje? 
Po ju garantoj me siguri të plotë se vëllai i kryeministrit Rama nuk ka lidhje në atë që ka ndodhur në Beograd. Këto janë lajthitje të mediave serbe. Është e vërtetë që ka pasur një organizim nga personat që e kanë bërë atë akt, por ju siguroj që në atë iniciativë nuk është përfshirë asnjë person i njohur dhe aq më pak vëllai i kryeministrit shqiptar. Ne kemi informacione se droni është futur nga disa persona që jetojnë jashtë shtetit. Personat që kanë organizuar futjen e flamurit me dy heronjtë anash në stadiumin e Partizanit të Beogradit, në stadiumin ku tifozët serbë po bënin thirrje raciste ndaj shqiptarëve, kanë kryer një akt për tu përshëndetur.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.