Këtë vit ekonomia rritet me 2.1 %

Ekonomia e Shqipërisë parashikohet të rritet me 2.1% në nivel vjetor gjatë 2014-ës, një përshpejtim i konsiderueshëm krahasuar me rritjen prej 1.3% për 2013-ën. Ky është parashikimi i Bankës Botërore në edicionin e janarit, të titulluar “Perspektivat Ekonomike Globale”.
Prodhimi ekonomik i Shqipërisë parashikohet të përshpejtohet më tej, deri në 3 % për vitet 2015 dhe 2016. Ndërsa deficiti i llogarisë korrente do të ngushtohet gradualisht nga 8.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që ishte në vitin 2013, në 7.1% për këtë vit dhe në 6.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për 2015-ën.
Ndërkohë, në krahasimin rajonal, Shqipëria do të rritet më shpejt se Bosnje-Hercegovina (2%) dhe Serbia (1%) por do të lihet pas nga Kosova (4%), Maqedonia (3%) dhe Mali i Zi (2.5%). Edhe qeveria shqiptare parashikon afërsisht të njëjtën shifër të rritjes për këtë vit.
I të njëjtit mendim është edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin më të fundit mbi projeksionet ekonomike. Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ka pritshmëri të mira për rritjen ekonomike të Shqipërisë duke e vlerësuar rritjen me 2% gjatë këtij viti.
Edhe institutet shkencore, në raportet tremujore për Evropën Qendrore dhe Lindore, parashikojnë se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 2% gjatë këtij viti nga 1.7%, që ishte vlerësimi për rritjen ekonomike gjatë vitit 2013. Një ditë më parë, Banka Botërore publikoi raportin mbi “Perspektivat Ekonomike Globale”, ku parashikohej ngadalësim i ekonomive në zhvillim.
SHEKULLI
Add new comment