Këshilli Ndërakademik:Gjuha Shqipe lëndë e veçantë në shkollën e mesme.

Postuar në 10 Korrik, 2014 08:36

Këshilli Ndërakademik ka propozuar ndër të tjera që Gjuha Shqipëri të mësohet gjatë tre viteve në shkollat e mesme, e ndarë nga Letërsia, si dhe të jepet provim pjekurit në përfundim të shkollimit parauniversitar. Po kështu, gjatë mbledhjes së Këshillit u diskutua edhe çështja e sintaksës në shqipen standarde.
 
Në deklaratën e Këshillit Ndërakademik u vendos edhe hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve dhe ngritja e një departamenti të veçantë për gjuhën shqipe.
 
Deklarata e Këshillit Ndërakademik i Gjuhës Shqipe
 
1-Gjuha shqipe duhet të jetë e veçantë, e ndarë nga letërsia, dhe të jepet provim pjekurie në përfundim të shkollimit parauniversitar.
 
2. U miratua propozimi që në të gjitha shkollat e mesme të të gjitha profileve lënda e gju-hës të mësohet gjatë tri viteve, me një 

program

 të ri dhe me tekste të reja.
 
3. U mbështet propozimi që në vitet e para të ciklit nëntëvjeçar (cikli fillor) në mësimin e gjuhës shqipe t’i jepet përparësi anës praktike, zotërimit të standardit, bashkë me leximin; në vitet në vazhdim të ciklit nëntëvjeçar (klasa VI-IX) dhe në ciklin e shkollës së mesme gjuha të mësohet në aspektin teorik, por, krahas kësaj, t’u jepet rëndësi e veçantë leximit të letërsisë artistike dhe punëve me shkrim, hartimeve e diktimeve.
 
4. U arrit përfundimi që planet e programet në fakultetet e mësuesisë, përfshirë ato të gjuhëve të huaja e fakultetet që përgatisin edukatorë për institucionet parashkollore, si dhe në fakultetet e gazetarisë, ka nevojë të rishikohen, duke u dhënë shtrirje më të gjerë lëndëve kryesore të gjuhës së sotme, si leksikologjia, morfologjia, sintaksa. Mendohet që përvetësimi i drejtshkrimit duhet të përfundojë në shkollimin parauniversitar. U propozua që lënda Kulturë gjuhe të përfshi-het në programet e universiteteve, në radhë të parë në fakultetet e mësuesisë, të gazetarisë, të gjuhëve të huaja, të arteve, të drejtësisë, të mjekësisë etj., me synimin e zotërimit sa më të mirë të normës leksikore, gramatikore, stilistike e terminologjike në funksion të komunikimit sa më të plotë.
 
5. U pa e arsyeshme të kërkohet për t’u zbatuar nga institucionet përkatëse:
- rritja e orëve mësimore për lëndën e gjuhës në ciklet nëntëvjeçare;
- reduktimi i normës mësimore për mësuesit e gjuhës;
- mësimi i gjuhës shqipe në ciklet parauniversitare, nëpërmjet teksteve e mësuesve, sipas koncepteve teorike e terminologjike bashkëkohore;
- trajnimi i mësuesve të gjuhës në kurse periodike katërvjeçare;
- hartimi i teksteve për fëmijët e emigrantëve sipas një politike në ndihmë të emigracionit;
 
6. Përgatitja e gjuhës shqipe në universitete duhet të jetë përparësi e arsimit universitar, ndërsa mësimdhënës i lëndës së gjuhës dhe të letërsisë shqipe në nivelet e ulëta e të mesme nuk mund të jetë askush që nuk ka, së paku, 180 kredite (ECTS) të lëndëve profesionale sipas plan-programeve të shkollave përkatëse. Ndonëse nismat për përmirësimin e cilësisë në arsim kanë propozuar shtimin e komponentit didaktik, kujtojmë se kompetenca gjuhësore është parakushti themelor për mësimdhënie cilësore.
 
7. Albanologjia, me shqipen në veçanti, duhet të jetë përparësi e investimeve shkencore të qeverive përkatëse. Përqindje të konsiderueshme të investimeve për shkencë e kërkime shkencore duhet të jepen për projekte që lidhen me albanologjinë. Duhet të ngrihet departament i veçantë për gjuhën shqipe (përdorimet, terminologjitë, përshtatjet me standardet evropiane, ku po synojmë të integrohemi) në kuadër të ekzekutivit (mbase brenda Ministrive të Arsimit a të Kulturës).
 
8. Në shkolla t’i kushtohet vëmendje diversitetit kulturor e begatisë dialektore të shqipes, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për stigmatizim të cilit do varieteti të shqipes.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.