Këshilli i BSH: S'japim dorëheqjen ...dhe 1 mesazh për Kuvendin.

Postuar në 11 Shtator, 2014 03:16

Pesë anëtarët e mbetur tëKëshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk kanë ndërmend të japin dorëheqjen. Sipas një komunikate, u mësua dje për një mbledhje tjetër të jashtëzakonshme të organit drejtues të BSH, sipas të cilit“Këshilli Mbikëqyrës rithekson angazhimin e plotë për ushtrimin me përgjegjshmëri të funksioneve që i cakton ligji”.

Me sa duket, pas dorëheqjes së Ardian Civicit, që duhet të miratohet nga Kuvendi, arrestimit të guvernatorit Ardian Fullani, Këshilli, që ka mbetur me pesë vetë, mendon të vijojë aktivitetin e tij, duke qenë se kuorumi ligjor ekziston ende. Kjo konfirmon deklarimet e dy prej anëtarëve Petraq Milo dhe Dhori Kule, që u shprehën dy ditë më parë se nuk kanë ndërmend të largohen, duke qenë se nuk e ndjejnë veten fajtorë për atë çka ka ndodhur në bankën qendrore. Ndërkohë, Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi ende nuk janë shprehur për një mundësi të tillë.

Këshilli Mbikëqyrësështë shprehur se kërkohet organizimi i drejtimit të institucionit në një kohë të shpejtë, duke nënkuptuar edhe zgjedhjen zyrtare të guvernatorit të ri. Nga ana tjetër, ai sjell në vëmendjen e Kuvendit faktin që ligji nuk siguron vazhdimësinë e funksionit të Inspektorit të Përgjithshëm, në kushtet e mungesës së tij. Fjala është për zëvendësimin e Elivar Golemit, e cila tashmë ka marrë masën e arrestit me vendim gjykate, ashtu si dhe guvernatori Fullani. Por, ndërsa ky i fundit zëvendësohet automatikisht nga zv.guvernatorja, pa nevojën e ndërhyrjes së Kuvendit, për inspektoren e përgjithshme nuk ekzidton një zëvendësim automatic, të parashikuar me ligj. Kështu, detyrën e saj aktualisht nuk e kryen njeri, përveçse në funksion “ad interim”.

Sipas komunikatës, Këshilli u mblodh dje, në fakt,për të ndjekur zhvillimet në tregjet dhe institucionet financiare, si edhe në veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë. Këshilli vlerësoi se zhvillimet në tregjet e parasë, të këmbimit valutor dhe në atë ndërbankar, paraqiten të qëndrueshme në drejtim të vëllimit të veprimtarisë dhe të luhatshmërisë, në përputhje me ecurinë e tyre sezonale dhe trendet historike. Të dhënat operative nga sektori bankar tregojnë një ecuri normale të nivelit të depozitave dhe një situatë të qëndrueshme në zhvillimin e veprimtarisë, thuhet në këtë komunikatë.

Komunikata duket se ka për qëllim kryesor të qetësojë tregun financiar dhe bankat e nivelit të dytë, se banka qemdrore funksionon si më parë, edhe pa Fullanin dhe me minus 713 milionë lekë në thesarin e saj. Por mungesa e katër anëtarëve në gjirin e tij tashmë e bën të dyshimtë vlerën e vendimeve të Këshillit, edhe pse ligjërisht këto vendime kanë fuqi të plotë. Sidoqoftë, Kuvendi pritet të marrë vendim jo vetëm për të mbushur vakancat, por edhe të vlerësojë punën dhe të vendosë për të ardhmen e të gjithë anëtarëve të këtij organi drejtues të bankës, ku ka ndodhur mega-vjedhja.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.