Juncker: Evropa në prag recesioni

Kreu i Eurogrupit Zhan Klod Junker pranon se Evropa është në prag të recesionit. Gjatë një interviste për "Telegraph", kryeministri i Luksemburgut e ka vënë theksin tek depozitat bankare në Bankën Qendrore Evropianë, të cilat kanë arritur një nivel rekord, ndërsa kreditorët mbeten të tërhequr e nuk guxojnë të mundësojnë huamarrjen.
Sipas kreut të grupit që përdor monedhën e përbashkët, ka ardhur koha që vendet të veprojnë në mënyrë që të përballen në kohë me ngadalësimin ekonomik.
Junker theksoi se Greqia "nuk po e merr në konsideratë kthimin tek dhrahmia, ndonëse situata aty mbetet mjaft e vështirë". Komentet e tij duket se mbështeten dhe tek të dhënat më të fundit të autoritetit helenik të statistikave, sipas të cilit më tepër se një e pesta e popullsisë së vendit rrezikon zbritjen në varfëri ose margjinalizim.
Niveli i varfërisë është përcaktuar si nën 15.073 euro në vit për familjet me dy të rritur dhe dy fëmijë në ngarkim. Nën këtë nivel priten të bien 28 përqind e familjeve, çka nënkupton 3.03 milionë vetë. Të dhënat theksojnë edhe një rritje të hendekut të varfërisë, duke e zbritur Greqinë nën nivelin e Bullgarisë, Rumanisë, apo Hungarisë.
Albanian Screen
Add new comment