Izraeli dhe Hamasi njoftojnë armëpushim

Qeveria e Izraelit dhe lëvizja Hamas që kontrollon Rripin e Gazës njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për armëpushim paraprak dhe se do të ndalojnë luftën nga nata e së mërkurës, por një njoftim i ngjashëm të martën nuk arriti të ndalë luftimet dhe bota po pret të shohë nëse palët do ta mbajnë fjalën këtë herë.
Deri në minutat e fundit para orarit të përcaktuar për armëpushim, palët vijuan të godasin njëra-tjetrën me sa mundën. Marrëveshja e armëpushimit u njoftua në një konferencë për shtyp të Ministrit të Jashtëm të Egjiptit Kamel Amr dhe Sekretares Amerikane të shtetit Hillary Clinton.
Izraeli njoftoi se ka rënë dakord t’i japë një shans përpjekjeve amerikane për një armëpushim që duhet të vijohet me bisedime të mëtejshme për ta bërë armëpushimin të qëndrueshëm në kohë. Izraeli ka kërkuar dhënien fund të lëshimit të raketave amatore nga Rripi i Gazës drejt territorit të saj ndërsa Hamas ka kërkuar në shkëmbim heqjen e izolimit dhe bllokadës që Izraeli ka zbatuar tashmë prej vitesh kundër krahinës së vogël, e cila nuk lejohet të importojë asgjë veç mallrave të nevojës së përditshme.
Gjatë ditës së djeshme, aviacioni izraelit kreu bombardime të shumta, të cilat deri tani kanë shkaktuar mbi 140 të vrarë dhe mbi 1100 të plagosur në krahinën e vogël dhe të mbipopulluar. Rreth një e treta e të vrarëve besohet se kanë qenë ushtarakë të Hamas ndërsa dy të tretat, viktima të pafajshme.
Dje një bombë shpërtheu në një autobus në Izrael duke plagosur së paku 21 civilë izraelitë, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Hamas njoftoi se ka hedhur raketa të tjera amatore drejt Izraelit gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton zhvilloi bisedime me udhëheqësit palestinezë në Bregun Perëndimor dhe me qeverinë Izraelite.
Shtëpi të shumta, dyqane e rrugë janë shkatërruar nga bombardimet e Izraelit. Një krater gjashtë metra i gjerë u krijua para disa hoteleve ku qëndrojnë gazetarët e huaj, për fat shpërthimi në mesnatë nuk shkaktoi viktima.
Disa palestinezë besojnë se bombardimet e Izraelit në shumë raste nuk kanë për qëllim të eliminojnë armët e Hamas, por synojnë gjithashtu të shkaktojnë rrënim për jetët e civilëve duke i shkatërruar shpëpitë.
Izraeli ka vendosur sakaq disa dhjetëramijëra trupa në kufi me Gazën në përgatitje për një pushtim të mundshëm të krahinës. Izraeli ka pësuar deri tani një viktimë mes ushtarakëve të vet. Një ushtar u vra nga një raketë e Hamas. Izraeli ka patur edhe katër viktima civile.
Shqip
Add new comment