Hosni Mubarak, prokuroria kërkon dënim me vdekje

Prokuroria në Kajro ka kërkuar dënim me vdekje për ish-presidentin Hosni Mubarak, i cili u rrëzua nga pushteti më 11 shkurt pas trazirave popullore. Të njëjtin dënim, prokurorët kanë kërkuar edhe për ish-ministrin e Brendshëm të vendit, Habib al-Adly dhe gjashtë funksionarë të tjerë të lartë të policisë. Akuza kundër tyre është ajo e përgjegjësisë për vrasjen e 850 manifestuesve gjatë revolucionit të nisur më 25 janar.
Sipas mediave lokale, ish-presidenti është risjellë në sallën e Gjyqit që mbahet në Akademinë e Policisë në Kajro, me barrelë, pasi gjendja e tij shëndetësore mbetet e rënduar. Procesi që rinisi të martën do të zgjasë deri të enjten, ndërsa palët kanë paraqitur pretendimet e tyre.
Ndërkohë, jashtë sallës së gjyqit, të afërmit e viktimave protestuan sërish kundër ish-presidentit dhe anëtarëve të tjerë të ish-regjimit të tij, ndërsa disa të tjerë thërritën sloganë në mbështetje të Mubarak. 15 ambulanca ndodheshin pranë sallës për çdo rast emergjence, ndërsa trupat e policisë formuan një kordon sigurie përrreth Akademisë.
Mubarak dhe dy djemtë e tij kanë kaluar disa seanca gjyqësore, që kur nisi gjykimi i tyre 3 gushtin e kaluar. Deri tani kanë dëshmuar edhe kreu i Këshillit Ushtarak, Hussein Tantawi dhe ish-zëvendëspresidenti Omar Suleiman. Albanian Screen
Add new comment