Homazhet për Ferdinand Ponin, Berisha: Humbëm zërin e fuqishëm të PD.

Diten e sotme ne hollin e Teatrit Kombëtar në kryeqytet u zhvilluan homazhe në nder të ish-zv/ministrit të Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili u nda nga jeta një ditë më parë si pasojë e një infarkti në zemër. Të afërm, miq, kolegë e qytetarë të Tiranës nderojnë me pikëllim zv/ministrin e Brendshëm.
Zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike, të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha vendosën kurora me lule dhe u përkulën përpara arkivolit me trupin e pajetë të Ferdinand Ponit.
Ish-kryeministri Berisha, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, pasi ngushëlloi familjen Poni për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur, la edhe një shënim në librin e kujtimeve. Homazhe per Ponin
Në përfundim të homazheve, ish-kryeministri Berisha deklaroi se Partia Demokratike dhe shoqëria shqiptare humbën një zë të fuqishëm dhe të ditur.
“Sot ne i themi lamtumirë njërit prej personaliteteve, veprimtarëve më të përkushtuar, më të vendosur dhe me kontribute shumë të rëndësishme për PD-së, për shoqërinë shqiptare dhe për vendin në tërësi. Ferdinand Poni ishte modeli i zyrtarit të përkushtuar, eficent, intelektualit që punoi me vendosmëri të madhe në projektet për modernizimin e vendit dhe punoi me sukses të madh. Avokat i pamposhtur i PD, demokratëve, programit, veprave dhe parimeve që ata besojnë. Humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por është një humbje e madhe për PD, për shoqërinë shqiptare. Poni është autori i modernizimit të sistemit të identifikimit të shqiptarëve, duke vendosur me përkushtim të madh sistemin më modern të kohës. Një aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së tij në të gjitha fushat, ai ishte një zë i fuqishëm, një zë i ditur. Vërtet u largua nga ne shumë para kohe, në kulmin e energjive të tij, por ka lënë një trashëgimi e cila do mbahet mend gjithnjë.”- deklaroi Berisha.
Homazhe zhvilloi edhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, i cili pasi u përkul me nderim përpara arkivolit me trupin e pajetë ngushëlloi familjarët e të ndjerit.
Ndërkohë rreth orës 14:10, në Teatrin Kombëtar mbërriti kryetari i PD-së Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Zoti Basha u shprehu ngushëllime familjarëve të Ponit dhe më pas i pikëlluar shkroi një mesazh të gjatë lamtumire në librin e kujtimeve, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar.
Add new comment