Grusht shteti në Mali

Postuar në 22 Mars, 2012 05:06

Gjithçka ka nisur gjatë një vizite të ministrit të mbrojtjes në një bazë ushtarake në Kati, pranë kryeqytetit Bamako. Ministri i cili donte të siguronte ushtarakët për impenjimin e qeverisë në luftën kundër Tuaregëve në veri të vendit, është detyruar të tërhiqet nga baza ushtarake i ndjekur pas nga një turmë ushtarakësh të cilët e kanë përzënë me gurë.

Konflikti me Tuaregët në veri ka shkaktuar shumë të vdekur dhe rreth 200 mijë veta janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, zona është shndërruar në një bazë të ekstremistëve të Al Kaida magrebine.

Ushtarakët e Malit ndihen të lënë në mëshirë të fatit në këtë konflikt, sepse janë të detyruar të luftojnë në kushte të këqija e të pajisur me armë të vjetra kundër militantëve të motivuar dhe të pajisur mirë.

Në veri Tuaregët kanë shtrënguar aleancë me xhihadistët e sëbashku po krijojnë një darë rreth kryeqytetit Bamako.

Të lodhur nga premtimet e ministrit ushtarakët e bazës në Kati, kanë dalë nga baza të armatosur e i janë drejtuar qendrës së Bamako ku kanë rrethuar më parë godinën e televizionit e më vonë pallatin presidencial.

Qeveria ka vënë në mbrojtje të pallatit të presidentit trupat e zgjedhur të pajisur me armë të rënda dhe autoblinda. Ndërkohë burime nga qeveria bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një tentativë për grusht shteti.

Pas një muaji janë të parashikuara të mbahen zgjedhjet presidenciale, situata ngelet shumë delikate dhe forcat politike kërkojnë një marrëveshje sa më të gjërë.

Franca ka bërë thirrje për qetësi e ka ftuar palët të respektojnë kushtetutën e bashkë me SHBA po bën presion që të ndalet spiralja e dhunës.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.