Greqia, tender 45 mijë euro për minoritetin në Shqipëri

Postuar në 03 Korrik, 2012 05:06

Edhe pse e mbërthyer nga kriza e rëndë ekonomike, Greqia sërish nuk lë pas dore minoritetin grek në Shqipëri, teksa vetëm pak ditë më parë ka publikuar njoftimin për hapjen e një tenderi me vlerë 45 mijë euro, i cili ka në qendër të tij mbledhjen e të gjitha të dhënave historike, kulturore e gjeografike të minoritetit etnik grek në Shqipëri në një regjistër elektronik. Ka qenë Ministria e Jashtme Greke, e cila, tri ditë më parë ka publikuar në faqen e saj të internetit njoftimin për zhvillimin e këtij tenderi, si dhe ka publikuar aty dokumentet që shpjegonin me hollësi të gjitha kërkesat e Ministrisë për fituesit e tenderit. Por ndërkaq, vetëm 48 orë pas publikimit, në mënyrë ende të pashpjegueshme, ky njoftim është hequr nga faqja zyrtare e Ministrisë së Jashtme Greke. 

TENDERI 
Referuar dokumenteve të Ministrisë së Jashtme Greke, të cilat “Gazeta Shqiptare” i disponon, bëhet e ditur se tenderi në fjalë, me vlerë rreth 45 mijë euro, ka si objekt të tij krijimin e të dhënave dixhitale të interesit historik, social dhe kulturor për minoritetin etnik grek që jeton në Shqipëri. Gjithnjë sipas dokumenteve zyrtare, mësohet se qëllimi i këtij projekti është të mblidhen të gjitha të dhënat historike, kulturore e sociale që i përkasin minoritetit etnik grek në Shqipëri dhe publikimin e tyre më pas në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Greke. Më pas shkruhet se, këto të dhëna të grumbulluara duhet të shpërndahen më pas në të gjitha enciklopeditë që gjenden në internet. Me anë të këtij tenderi, Ministria e Jashtme Greke kërkon që të ketë të administruara të gjitha të dhënat që i përkasin minoritetit etnik grek në Shqipëri dhe ato të jenë të njëjta në të gjitha enciklopeditë më të lexuara në internet. Tashmë, pas publikimit të tenderit, Ministria e Jashtme është duke pritur të gjitha dosjet e kompanive të interesuara për të realizuar këtë projekt, të cilat do të kenë në dispozicion një vit për përfundimin e tij. 

MINISTRIA PËR MINORITETIN 
Ministria e Jashtme e Greqisë, në faqen e saj të internetit ka një seksion të caktuar për sa i përket minoritetit etnik grek në Shqipëri. Aty thuhet se ky minoritet është më i madhi në numër në Shqipëri dhe është një minoritet autokton, i njohur nga Shqipëria si një minoritet kombëtar. “Prioritet i lartë për politikën e Jashtme greke në lidhje me Shqipërinë është që të monitorohet gjendja e të gjithë anëtarëve të minoritetit grek në të gjithë vendin dhe jo vetëm në zonat e njohura në mënyrë arbitrare nga shteti shqiptar si “zona minoritare”. Respekt të plotë për të drejtat e minoriteteve dhe zbatimin e angazhimeve përkatëse dhe detyrimet e palës shqiptare, janë kriteret që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën e saj evropiane, dhe janë një barometër në marrëdhëniet dypalëshe greko-shqiptare.”, – thuhet në faqen e Ministrisë. Por Ministria e Jashtme Greke kritikon shtetin shqiptar për politikat e ndjekura prej saj ndaj minoritetit grek. “E drejta për të siguruar arsimim falas publik të anëtarëve të minoritetit në gjuhën e tyre amtare është një obligim themelor i çdo shteti modern. Për fat të keq, politika e qeverisë shqiptare për të zbatuar të drejtat e minoriteteve vetëm në kuadër të të ashtuquajturave “zonave minoritare” kufizon gjerësinë e këtyre mbrojtjeve, me rezultat që, shumë anëtarë të minoritetit që jetojnë jashtë këtyre zonave janë të privuar nga e drejta për arsimim falas publik në gjuhën e tyre nënë.”, – mbyllet shkrimi në faqen e Ministrisë së Jashtme Greke. 

 

Ballkanweb.com

Comments

Submitted by Altin Goxhaj (not verified) on

<p>perkthejeni ne gjermanisht dhe postojani shtypit gjerman qe ta marrin vesh se per cfare po perdoren parate e gjermoneve;-)</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.