Greqia buzë greminës, Papademos takim me liderët partiakë

Postuar në 05 Shkurt, 2012 13:36

Kryeministri grek Lucas Papademos takon liderët partiakë të koalicionit që mbështet qeverinë e tij, për të kërkuar mbështetjen e tyre në lidhje me kushtet e paketës së re të ndihmës europiane me vlerë 130 miliardë euro. Ministrat e Financave të eurozonës shpresonin të takohen të hënën për të finalizuar detajet e ndihmës së re, por ky takim u anulua për shkak se Athina nuk është gati. Ende nuk ka marrëveshje me kreditorët privatë, ndërsa vendi zien nga protestat dhe kundërshtitë e publikut dhe politikës. Por, paratë duhet të rrjedhin në Athinë deri në mars për të parandaluar falimentin. Durimi i Europës po kthehet në padurim, dhe këtë e pranon edhe ministri grek i Financave.

"Ekziston një padurim i madh dhe një presion po aq i madh jo vetëm prej tre institucioneve të Trojkës, por edhe nga shtetet e eurozonës. Secili prej tyre ka kriteret e veta, problemet dhe prioritetet e veta. Distanca mes përfundimit të suksesshëm të procedurave dhe një stopimi që mund të ndodhë aksidentalisht apo prej keqkuptimit është shumë e vogël. Jemi në tehun e thikës", është shprehur Venizelos.

Ai i bëri këto komente pas një videokonference me homologët e tij të eurozonës dhe menjëherë është nisur drejt zyrës së Kryeministrit. Shpresohet që Papademos të arrijë një marrëveshje me shefat partiakë mbrëmjen e vonë të së dielës. "Momenti është shumë vendimtar", e përcaktoi Venizellos këtë takim, duke shtuar se marrëveshjet duhen mbyllur brenda natës.

Athina duhet të shlyejë interesat e borxheve prej 14.4 miliardë euro më 20 mars, por vendi nuk i ka aq para. Në këmbim të tyre, Trojka kërkon reforma që përfshijnë rrogë minimale më të vogël, shkurtimin e pagës së 13 e të 14, që jepen si bonuse vjetore si dhe liberalizimin e rregullores së punës.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.