Greqi, qeveria miratoi paketën e masave financiare

E shtuna dhe e diela janë dy ditë me rëndësi jashtëzakonisht të madhe, në nivelin politik dhe ekonomik për Greqinë.
Qeveria greke e miratoi mbrëmë marrëveshjen me faturën e masave financiare, të cilën e dorëzoi menjëherë në parlament, ku do të ketë edhe provën më të vështirë. Përpara së të mbërrijë aty, marrëveshja do diskutohet sot në komisionet parlamentare. Paketa do miratohet me shumicën relative, por në asnjë rast me më pak se 120 vota. Parlamenti do të votojë edhe marrëveshjen për shkëmbimin e bonove (PSI) dhe rikapitalizimin e bankave.
Sot zhvillohen takime kritike të grupeve parlamentare të dy partive kryesore, PASOK dhe Demokracia e Re, lidhur me qëndrimin që do të mbajnë deputetët e tyre në parlament, kur të votohet marrëveshja e kredisë së re në vend.
Disa deputetë kanë deklaruar se nuk do ta votojnë paketën e masave, madje njëri prej tyre la edhe mandatin e deputetit. Gjithashtu, 5 dorëheqje ministrash për shkak të mospajtimit me marrëveshjen e kredisë së re, shkaktuan lëkundje në qeverinë e Papadhimos.
"Është e kuptueshme se kushdo që nuk është dakord dhe nuk e miraton programin e ri, nuk mund të mbetet në qeveri. Është absolutisht e nevojshme të përfundojmë përpjekjet e filluara dy vjet më parë duke siguruar programin e dytë të ndihmës për Greqinë. Eshte koha e përgjegjësisë së qeverisë. Eshtë koha për të gjithë. Obsioni i falimentimit nuk shtrohet fare në tryezë", deklaroi kryeministri grek Papadhimos.
Ndërkaq sot është dita e dytë e grevës së punonjësve në sektorin publik dhe privat. Ata gjithashtu do të marrin pjesë në tubimet masive dhe të manifestimeve protestuese kundër Memorandumit të ri dhe masave shtrënguese që ai përmban, në ora 11:00 në sheshin Sintagma dhe Omonia. Në mëngjes dy parulla ishin varur në Akropol nga anëtarët e Partisë Komuniste, me sloganin "Poshtë diktatura e monopoleve në BE", të shkruara në greqisht dhe anglisht.
Ballkanweb.com
Add new comment