Greqi, qeveria akuzohet për racizëm dhe ksenofobi

Postuar në 15 Nëntor, 2012 07:35

Vendimi i Këshillit të Shtetit, që gjykoi antikushtetuese dispozitat e “ligjit Ragousi”, për dhënien e shtetësisë greke dhe urdhri i kryeministrit Antonis Samaras për zbatimin e menjëhershëm të tij, shkaktoi reagime jo vetëm nga opozita greke, por edhe nga partitë brenda koalicionit qeveritar, të cilat e akuzuan qeverinë për axhendë raciste dhe ksenofobe. 

PASOK vë në dukje se vazhdon praktika qeveritare e mosinformimit të partive të koalicionit për punën qeveritare. Zëdhënësja e kësaj partie vëren se “asnjë nismë legjislative e qeverisë nuk mund të merret me nxitim dhe pa pëlqimin e partive që e mbështesin atë”. 

“Nuk justifikohet asnjë rregullim që tërhiqet për shkak të racizmit dhe ksenofobisë”, shprehet në një deklaratë të saj E Majta Demokratike, duke shtuar se “trajtimi legjislativ i këtyre çështjeve duhet të ketë kriter të caktuar, krijimin e një komuniteti politik të sigurt dhe koheziv, ku njihet e drejta e emigrantit të fitojë shtetësinë greke, që ka kriter lidhjen e tij me Greqinë. Veçanërisht, duhet të njihet lidhja me vendin tonë e fëmijëve të emigrantëve që lindin dhe rriten këtu”. 

SYRIZA akuzon qeverinë se adapton axhendën e urrejtjes dhe frikës, që përfaqëson Agimi i Artë. SYRIZA shprehet se qeveria edhe një herë po dëshmon që preferon demagogjinë, dhe jo zgjidhjet e drejta. “Pavarësisht nga mangësitë e tij, ligji Ragousi është i vetmi legjislacion relativisht progresiv në vitet e fundit", thotë SYRIZA dhe shton se "njerëzit e rinj, të cilët ose kanë lindur ose janë rritur në Greqi, nuk kanë njohur atdhe tjetër, përveç vendit tonë”. 

Zëdhënësi i qeverisë, në përgjigje të akuzave tha se “Ligji për dhënien e Shtetësinë u gjykua antikushtetues nga Këshilli i Shtetit. Qëllimi dhe angazhimi ynë është të kemi një kornize legjislative, të ngjashme me atë që ekziston dhe funksionon në mënyrë efektive në vendet e tjera të BE që përballen me probleme të ngjashme të emigracionit të paligjshëm, ashtu si Greqia. Asgjë më shumë, asgjë më pak”. 

 

Anila Jole

 

Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.