Greqi, parulla raciste edhe në gjyqin e 39 ushtarëve të Marinës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8257_1_1937.jpg?itok=aj-V2iix)
39 pjesëtarë të forcave speciale të zhytësve të Marinës Ushtarake greke, janë ulur sërish dje në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Ushtarake të Pireut.
Ata akuzohen për parullat raciste, që hodhën gjatë paradës së festës kombëtare të Greqisë, më 25 mars 2010, në Athinë.
Që nga mëngjesi, jashtë gjykatës së Pireut, u mblodhën ushtarë të forcave speciale, anëtarë të organizatës “Agimi i Artë” dhe organizatave të tjera nacionaliste. Ata ishin aty për të shprehur solidaritetin e tyre me të pandehurit, por hodhën edhe parrulla.
Ndërkaq brenda sallës së gjyqit pati vazhdimisht momente tensioni dhe seanca u ndërpre disa herë.
Ndërprerja e parë u bë, kur në seancë u shfaqën video nga parada e 25 marsit 2010. Të pranishmit në sallë filluan të hedhin parrulla të ngjashme me ato që hodhën gati 2 vjet më parë, ushtarakët që sot ndodhen në bankën e të akuzuarve. Seanca u ndërpre, pasi në sallë u krijua tension.
Gjatë dëgjimit të dëshmitarit, avokati mbrojtës i kërkoi gjykatës të arrestojë atë për dëshmi të rreme. Pas një ndërprerjeje të re të seancës, gjyqi rifilloi, por papritmas ndodhi një tjetër episod, kur dikush nga publiku kërcënoi duke kërkuar largimin e dëshmitarit, madje tentoi ta sulmojë atë fizikisht. Në mes të kaosit të krijuar, gjyqi u ndërpre, për të vazhduar sërish të martën. Seanca e parë e këtij gjyqi ishte në 20 shtator të këtij viti, por ende pa filluar mirë, u shty për në 16 Dhjetor.
Toga e forcave speciale të zhytësve të Marinës Ushtarake greke është paditur nga Komiteti i Helsinkit dhe do të përgjigjet për shkelje të nenit 2 të ligjit “Për antiracizmin”.
Gjatë paradës ushtarake të 25 Marsit të vitit 2010, ushtarët e kësaj toge hodhën parrulla raciste, kundër shqiptarëve, turqve dhe maqedonasve.
"Grek lind, kurrë nuk mund të bëhesh" ose “me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë ", ishin disa nga parullat që brohorisnin njerëzit e forcave speciale gjatë paradës.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment