Greqi, Parlamenti miraton masat e ashpra, Athina në flakë

Postuar në 13 Shkurt, 2012 01:57

Me 199 vota pro, 74 kundër, dhe 5 abstenime u miratua në orët e para të mëngjesit të së hënës në parlamentin grek, Marrëveshja e kredisë së re. Projektligji u miratua në parim dhe më pas edhe në 3 nenet e tij.

Surpriza ishte qëndrimi i anëtarëve të LAOS që abstenuan, ndërsa 2 prej tyre, Adonis Georgiadis dhe Makis Voridis, të cilët tre ditë më parë dhanë dorëheqjen nga qeveria Papadhimos, votuan "po" për të gjitha nenet e ligjit dhe u përjashtuan nga grupi.

Nga grupet parlamentare u përjashtuan gjithashtu edhe 22 deputetë të PASOK dhe 21 deputetë të Demokracisë së Re, të cilët votuan "kundër" planit duke shkelur disiplinën partiake.

Nuk e miratuan Memorandumin edhe deputetët e Partisë komuniste, SYRIZA, dhe e Majta demokratike, ndërsa Aleanca Demokratike votoi “pro” me përjashtim të një deputeti.

Ndërkohë jashtë godinës së parlamentit, qendra e Athinës u kthye në një shesh beteje të përfshirë nga flakët. Pas dhunës që u shënua jashtë parlamentit në fillim të protestës, episodet u shtrinë në rrugët rreth sheshit Sintagma.

Persona të maskuar vunë rreth 40 zjarre, nga të cilat u dogjën plotësisht dhjetëra dyqane, banka, kinema dhe ndërtesa historike të Athinës.

Protestuesit u përleshën me policinë duke përdorur kundër saj bomba “Molotov”, gurë dhe sende të tjera të forta, ndërsa policia hodhi mbi ta gaz lotsjellës.

Mbi 70 njerëz, policë dhe civilë, u plagosën dhe u dërguan në spital. Policia kreu 25 arrestime dhe 23 shoqërime.

Kaosi mbizotëroi për orë të tëra në Athinë, kur përvec zjarreve e thyerjeve, janë plackitur e vjedhur dyqane të shumta.

Dhjetëra persona u dërguan në spitale me probleme në frymëmarrje për shkak të gazit lotsjellës. Sipas njoftimit nga ministria e Shëndetësisë, pas dhënies të ndihmës së parë të gjithë ndodhen në gjendje të mirë.

 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.