Greqi, nis gjyqi ndaj Agimit të Artë
Nën masa të rrepta sigurie, në një sallë të ndërtuar enkas brenda burgut të Korridallosë në Athinë, ka filluar mëngjesin e së hënës gjyqi ndaj Agimit të Artë, që konsiderohet si një proces historik për Greqinë që nga koha e rënies së juntës ushtarake.
69 persona, midis tyre edhe grupi i mëparshëm parlamentar i kësaj partie, janë thirrur para Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, e cila do të përcaktojë perfundimisht nëse Agimi i Artë është një konstrukt nazist me veprimtari të organizuar të paligjshme. Ky vendim mund t’u hapë rrugë zhvillimeve politike nëse partia shpallet e paligjshme ose mund të provojë që aktet kriminale të anëtarëve të saj përbëjnë vetëm disa “incidente të izoluara”.
Përballë trupës gjykuese janë mbi 100 avokatë mbrojtës që do të shqyrtojnë edhe prova nga të paktën 130 dëshmitarë, duke u përgjigjur bashkë me klientët e tyre për akuzat që përmban dosja hetimore prej 700 faqesh që përmbledh veprimtarinë e kësaj organizate dhe provat ndaj saj, të cilat janë shtuar sidomos pas vitit 2012, kur Agimi i Artë hyri për herë të parë edhe në Parlament.
Në dosjen e hartuar nga zv/prokurori i Gjykatës Supreme, Agimi i Artë konsiderohet organizatë aktive kriminale e tipit nazist që vepron prej vitit 1987 deri më sot me strukturë ushtarake, hierarki dhe degë në të gjithë vendin, e udhëhequr nga një lidership që ruan standartet hitleriane.
Veprimtaria e kësaj force u vu në fokusin e organeve greke të drejtësisë pas vrasjes së muzikantit antifashist Pavlos Fissas nga një neonazist në shtator të vitit 2013, çështja e parë me të cilën ka filluar gjyqi. Në vazhdim do të gjykohen një seri sulmesh raciste nga anëtarë të kësaj force në të gjithë Greqinë, midis tyre, vrasja e një emigranti nga Pakistani apo disa tentativa vrasjeje e sulme ndaj emigrantëve të tjerë që ndodhën në të njëjtin vit apo edhe gjatë vitit 2012.
Pas fillimit te hetimeve shume prej anetareve, madje dhe lideret e kesaj force u arrestuan dhe qendruan ne burg per 18 muaj,por u liruan para disa ditesh pasi skadoi afati I paraburgimit.
Lideri Nikos Mihaloliakos dhe ndihmesit e tij-grupi drejtues i AA,siç thuhet në dosje-akuzohen për veprimtarine dhe drejtimin e një organizate kriminale.
Disa prej deputetëve aktualë dhe të mëparshëm, të cilët do të ulen në bankën e të akuzuarve ballafaqohen edhe me kategoritë e tjera të veprave penale që lidhen kryesisht me armembajtje pa leje. Gjyqi qe pritet të zgjasë rreth një vit,ndiqet me vemendje te vecante edhe nga mediat e huaja.
/ Top Channel
Add new comment