Greqi, kredia e re, tani në parlamentet evropiane

Dalja e Greqisë nga Eurozona ose falimentimi i saj do të sillnin "rreziqe domethënëse" dhe të "paparashikueshme". Kështu vlerësoi kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, e cila u takua me Presidentin e Eurogrup, Jean-Claude Juncker, ndërsa pati një bisedë telefonike me kryeministrin grek Papadhimos, në funksion të Samitit të BE-së në 1 mars, për Greqinë.
Merkel vlerësoi përpjekjet greke për menaxhimin e krizës së borxheve dhe theksoi nevojën që 17 shtetet anëtare të eurozonës të qëndrojnë solide.
Nga ana e tij z. Juncker theksoi se ka ende rrugë për të mbyllur ndihmën për Greqinë, duke thënë se "nata” nuk ka mbaruar.
Këto kontakte zhvillohen para se parlamenti gjerman të diskutojë dhe votojë marrëveshjen për Greqinë, në kuadër të ratifikimit të marrëveshjes nga gjithë parlamentet e vendeve të eurozonës. Sipas raporteve, numri i anëtarëve të partisë së Merkel, si dhe Partisë së Demokratëve të Lirë që do të votojnë kundër planit, ka shkuar në 12. Aprovimi i Gjermanisë për paketën e ndihmës është në hap i rëndësishëm, sepse Gjermania mban një pjesë të madhe të fondit të shpëtimit. Asambleja Kombëtare Franceze ka aprovuar paketën e shpëtimit, po ashtu si edhe Estonia. Aprovimi i parlamentit italian pritet të bëhet. Kritike gjendja mund të bëhet në Hollandë, ku parlamenti ka rezerva ndaj kursit për shpëtimin e Greqisë. Edhe më skeptik është parlamenti i Finlandës. Edhe parlamentet në Sllovaki, Qipro, Malta dhe Portugali parashikohet ta japin votën e tyre.
Në këtë atmosferë, presidenti i SHBA, Barack Obama ka deklaruar se ka patur progres në zgjidhjen e krizën e borxheve në Evropë, por shtoi se "mbetet për t'u bërë shumë punë." Ai u shpreh i kënaqur me marrëveshjen midis FMN-së, BE-së dhe Greqisë. Gjatë diskutimit të krizës së borxheve në eurozonë me kryeministrin danez, Obama përmendi nevojën "për të siguruar jo vetëm stabilitetin ekonomik, por edhe rritjen ekonomike në Evropë”. “Nëse nuk ka zhvillim në Evropë, kjo do të ketë një ndikim në ekonominë amerikane", theksoi ai.
Ndërkaq në një shkrim të saj, revista “The economist” shkruan se kriza e ka kthyer Greqinë në vitin 2000. Tregues për rastin grek janë çmimet e aksioneve të cilat ishin më të larta në vitin 1992, pagat reale kanë rënë nën nivelin e vitit 2004 ndërsa papunësia është kthyer në nivelet e viteve 1990.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment