Greqi, bie besimi tek qeveria
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/2649_3_158.jpg?itok=h-0ymoNB)
Kur sapo ka kaluar një muaj në detyrë, kryeministri grek Lukas Papadhimos dhe qeveria e tij kanë humbur besimin tek qytetarët greke.
Kështu rezulton nga një sondazh i kryer së fundmi nga agjencia “VPRC” për të përjavshmen “Epikaria”.
Sipas anketës, 65 për qind e të intervistuarve kanë deklaruar se nuk kanë besim tek qeveria Papadhimos, kundrejt 26 për qind që kanë deklaruar të kundërtën.
Motivet janë shumë, por para së gjithash janë zënkat e vazhdueshme mes ministrave që janë pjesë e qeverisë, sidomos mes atyre të dy partive të mëdha.
Duket se qytetarët helenë kanë ndërruar mendje, pasi në një sondazh të publikuar 10 ditë më parë ata deklaronin se u pëlqente kryeministri i ri Lukas Papadhimos.
Megjithatë, që atëherë ata shpreheshin mosbesues ndaj qeverisë së unitetit kombëtar, të formuar nga politikanë të PASOK-ut, Demokracisë së Re dhe Laos-it.
Sondazhi tregonte se popullariteti i Papadhimos ishte ngjitur në 60 për qind, nga 55 për qind që ishte muajin e kaluar.
Por nga ana tjetër, 80 për qind e të intervistuarve shpreheshin “të pakënaqur” nga ekzekutivi i përbërë nga 49 anëtarë, të themeluar nga vetë Papadhimos.
Rreth një javë më parë kryeministri Papadhimos bëri bilancin e 30-ditëve të qeverisjes së tij, të cilin në faqen e tij personale të internetit e vlerësoi si pozitiv.
top-channel.tv
Add new comment