Grekët: Jemi më shume se 0.87%

"Shumica dërrmuese e minoriteteve që përfaqësojmë ju përgjigjen thirrjes sonë dhe nuk morën pjesë në Census. Legjislacioni, në lidhje me censusin kishte një qëllim të vet legjitimitein e tkurrjes statistikore të pjesëtarëve të minoriteteve etnike. Edhe zbatimi praktik i tij u shoqërua me fenomene masive të mungesës së plotë të transparencës të abuzimit dhe të manipulimit".
Ka qenë kjo deklarata e përfaqësuesve të Partisë 'Bashkimi për të Drejtat e Njeriut' dhe organizatës 'Omonia', menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Por pavarësisht deklaratës se shumica e minoritetit grek i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së PBDNJ-së për të bojkotuar Censusin, një ditë pas publikimit të të dhënave nga INSTAT, nënkryetari i saj thotë se nuk njeh rezultatet dhe se shifrat janë të manipuluara.
"Deklarojmë përpara opinionit publik shqiptar, institucioneve shtetërore dhe atyre ndërkombëtare se nuk njohim rezultatet e publikuara zyrtarisht nga Censusi 2011 ishte një proces jodemokratik, jo transparent dhe antikushtetues që u krye me shkelje të panumërta, veprime arbitrate dhe siç shihet edhe të dhënat janë të stisura", tha zëvendëskryetari i PBDNJ-së Thanas Poci.
Në një tjetër deklaratë që pason publikimin zyrtar të të dhënave të censusit, Aleanca Kuqezi ka falenderuar 400 mijë shqiptarë, të cilët kanë refuzuar t'i përgjigjen pyetjeve për etninë dhe fenë në atë që e kanë cilësuar si census të hartuar sipas direktivave të Athinës.
'I suprizuar nga shifrat reale të “Censusit” dhe dështimit të plotë të marrëveshjes për rritjen artificiale të minoritetit grek në Shqipëri, Genc Pollo u bë sërish ushtarë i cëstës së “gjeneralit të ushtrisë së vdekur” duke publikuar me shumë siklet më pak se 1% minoritet grek ashtu sikundër Aleanca Kuq e Zi deklaroi në tetor të këtij viti kur të dhënat zyrtare të “Censusit” ishin dërguar për përpunim në zyrat e homologëve të Z.Pollo në Athinë', tha Rezar Balla, sekretar i Marrëdhënieve me Publikun në AK.
Sipas të dhënave përfundimtare të censusit, pyetjes mbi përkatësinë etnike 82.58 % i janë përgjigjur se janë shqiptarë ndërsa vetëm 0.87 % se janë grekë. Ndërsa pyetjes mbi përkatësinë fetare, 56.70 % i janë përgjigjur se janë myslimanë, 10. 03 % katolikë dhe 6.75 % ortodoksë. Në të dyja rastet kanë refuzuar të përgjigjen 14 % e të anketuarve.
PS: Berisha hoqi papunësine nga Censusi
Vërejtje për Censusin ka shfaqur edhe opozita, e cila i është referuar heqjes nga pyetësori të çështjes së papunësisë, e cila sipas Partisë Socialiste u bë nga Kryeministri për të mos bërë publike plagën e madhe të papunësisë që prodhon krim dhe plagë të mëdha sociale.
"Kryeministri urdhëroi heqjen nga Censusi të kapitullit të papunësisë, si për të fshehur se papunësia në vend prek më shumë se 1 milion të papunë, për t'u hedhur hi syve shqiptarëve për një realitet që e jetojnë përditë. Ky është një tjetër skandal madhor që i duhet faturuar këtij pushteti të korruptuar.Krimi dhe kriza ekonomike do të marrin përgjigjen e shtetit dhe nuk do të fshihen më kulisave të korrupsionit të pushtetit. Qytetarët do të qeverisen prej përfaqësuesve të tyre të denjë dhe jo prej një klike piratësh episodikë, të cilët janë aty veçse për të grabitur Shqipërinë e shqiptarët", tha deputetja socialiste Mimi Kodheli.
Top channel
Add new comment