Gjyqtari Neritan Tabaku në prokurori me qafore, “ngec” në pyetjen e tretë

Gjyqtari i shumëpërfolur i Durrësit, Neritan Tabaku, i cili dha pafajësi për Ilir Xhakjen, vrasësin e shefit të Komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj, rrezikon të merret i pandehur për moszbardhjen e vendimit, ndërsa prokuroria kërkon me ngulm një version nga vetë i hetuari. Ai është paraqitur në Prokurorinë e Tiranës ditën e enjte, më datë 22 nëntor, ku u ndal në zyrën e prokurorit Julian Zonja, i cili kishte bërë gati pyetjet për këtë person. Burime konfidenciale nga akuza thanë për gazetën “Shqip” se gjyqtari Tabaku ka pretenduar se ka qenë shumë i sëmurë, madje, ditën që u paraqit në prokurori, mbante një qafore. I pyetur nga zyrtarët e prokurorisë për shëndetin, ai tha se vuan nga një çrregullim në qafë, e cila e ka penguar të vijë më herët për të dhënë dëshmi. Pas sqarimit për dërgimin e tri fletëthirrjeve, prokurori, në prani edhe të oficerit të policisë gjyqësore, ka vijuar menjëherë me pyetjen e parë, në lidhje me gjyqin e shumëpërfolur, ku një i akuzuar për vrasje po rigjykohej në Durrës, pasi më parë ishte dënuar me 21 vjet burg nga krimet e rënda. Mësohet se gjyqtari Tabaku ka shpjeguar shkurtimisht mënyrën e ardhjes së kësaj çështjeje, hallkat procedurale dhe shortin e hedhur në Gjykatën e Durrësit. Pyetja e dytë ka qenë teknike, në lidhje me kohën kur ka filluar procesi, ndërsa është pyetur edhe për kohën kur përfundoi gjyqi, i cili ishte në favor të pandehurit, i cili mori pafajësi në Gjykatën e Durrësit, rreth një vit para se të kryente vrasjen e kryekomisar Adem Tahirajt më 13 shtator të këtij viti. Në momentin që prokurori ka bërë pyetjen e tretë, e cila mësohet se ka qenë në momentin pas dhënies së vendimit dhe afatit kohor të zbardhjes së tij, gjyqtari, në mënyrë arrogante ka kërkuar që të pyetet në prani edhe të një avokati, pasi e ka ndier veten tepër ngushtë. Duke qenë se objekti i hetimit nga njësia Task-Forcë është moszbardhja e vendimit, Tabaku ka kërkuar kohë, në mënyrë që të përgatitet, duke qenë se gjatë seancës së parë të pyetjeve mund të lëshonte ndonjë deklaratë që përdorej më pas në gjykatë. Pas disa minutash në zyrën e prokurorit, gjyqtari ka ndërprerë rrëfimin, ndërsa ka pohuar se do të paraqitet ditën e hënë, së bashku me përfaqësuesin e tij ligjor, pasi të nesërmen, më datë 23 nëntor, e kishte të pamundur që të vinte sërish në prokurori. Duke ditur mjaft mirë ligjet, pasi ka qenë gjyqtar për një periudhë të gjatë, ai ka kërkuar kohë, e cila i është dhënë edhe nga prokuroria.
Hetimet
Kolegji Penal i Gjykatës së Durrësit, që dha vendimin për të liruar Ilir Xhakjen, vrasësin e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, është thirrur për dëshmi në Prokurorinë e Tiranës. Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, do të japin shpjegime se përse nuk e kanë zbardhur vendimin, që liroi nga burgu Ilir Xhakjen në kohën e duhur, por e kanë zbardhur 20 muaj më pas, disa ditë pasi kishte ndodhur vrasja në Katund Sukth, ku një funksionar policie është vrarë në mënyrë makabre nga një person i pandëshkuar prej drejtësisë. Objekti i hetimit në Prokurorinë e Tiranës nuk është vendimmarrja, por vonesa e zbardhjes së vendimit, pasi ka informacione se zyrtarët e Gjykatës së Durrësit i kanë kërkuar disa herë këtij kolegji, veçanërisht gjyqtarit Tabaku, të arsyetojë vendimin dhe ta dorëzojë në sekretari. Megjithatë, urdhrat shkresore dhe verbale nuk janë marrë në konsideratë dhe për rrjedhojë, personi që ishte shpallur i pafajshëm dhe drejtësia nuk e kishte gjykuar në apel, ndërmori një tjetër akt të rëndë. Burimet nga Prokuroria e Tiranës konfirmojnë se gjyqtari Tabaku do të pyetet si person nën hetim, ndërsa dy anëtarët e Kolegjit Penal, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, do të pyeten në cilësinë e personit në dijeni për faktet, që janë edhe objekt verifikimesh nga njësia Task-Forcë. “Hetimet po përqendrohen te vonesa në zbardhjen e vendimit. Ligji e parashikon qartë zbardhjen e vendimit, që nuk i kalon më shumë se 30 ditë. Në rastin konkret, zbardhja e vendimit ka ndodhur 20 muaj më vonë. Madje, edhe vendimi i zbardhur ka probleme të theksuara, pasi është bërë në shpejtësi e sipër”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, ka dyshime se zbardhja e këtij vendimi është bërë pas datës 13 shtator, ku u vra kryekomisar Adem Tahiraj.
Zvarritja
Hetimet për gjyqtarin Neritan Tabaku po ecin me ritme tepër të ngadalta. Akuza nuk mund të kryente asnjë veprim për marrjen e dëshmive, madje edhe me sekuestrimin e dokumenteve. Edhe KLD-ja, ashtu si edhe prokuroria, vonoi të zbardhë vendimin që i hiqte imunitetin Tabakut. Shkresa zyrtare vonoi disa javë para se të shkonte në Prokurorinë e Tiranës, për t’iu bashkëngjitur dosjes hetimore. Drejtësia po e vonon së tepërmi “kryqëzimin” e Tabakut, pasi në këtë mënyrë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku shumica e gjyqtarëve mund të viheshin nën akuzë për moszbardhje të vendimeve në kohë.
Shqip
Add new comment