Gjyqi “Gjika”, sherr mes avokatëve dhe ekspertëve

Ka zgjatur rreth një orë e gjysmë seanca gjyqësore në ngarkim të kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika dhe shtatë të pandehurve të tjerë të cilët akuzohen për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim të paligjshëm”. Gjatë seancës ka patur debate të ashpra mes avokatëve mbrojtjes dhe ekspertes së Prokurorisë, Luiza Balla.
Debati lindi pikërisht për faktin se në aktin e ekspertimit, ekspertja e prokurorisë i referohet një vendimi të vitit 2002, sipas të cilit në lagjen “Pavarësia” dhe vendin e njohur si “Tre Racat” nuk lejohen ndërtimet.
Por sipas avokatëve mbrojtës, ky vendim nuk ekziston. Debate të forta pati mes avokatit të Gjikës dhe ekspertes Balla, sepse sipas avokatit në disa raste ekspertja ka dhënë mendime të cilat i kapërcejnë të gjitha direktivat e saj si eksperte e arkitekuturës urbanistike.
Në seancë ishte i pranishëm edhe kryebashkiaku Gjika, i cili deklaroi se nuk ka shkelur ligjin, pasur në këto dy zona lejohet ndërtimi.
Seanca e radhës është caktuar për të hënën e ardhshme më 7 prill, kur do të dëgjohen pretendimet e organit të akuzës. Sipas Prokurorisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ka falsifikuar në bashkëpunim procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës, duke ndryshuar përmbajtjen e tyre. Në vijim këto dokumente dyshohet se i kanë “hapur rrugë” ndërtimit për dy pallate shumëkatëshe në qytetin bregdetar.
Add new comment