Gjykata e Tiranës shpall të pafajshëm Shpëtim Gjikën.

Postuar në 27 Nëntor, 2014 07:51

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika të akuzuar për falsifikim dokumentash. Ky vendim është dhënë mesditën e sotme, ku krahas tij janë shpallur të pafajshëm edhe Eleni Dardha, Gentian Sherifaj, Gëzim Feta dhe Blerdi Liçaj. Gjithashtu është tërhequr edhe masa e sekuestros për prishjen e dy pallateve, për të cilat prokuroria argumentoi se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të falsifikuara. Në fillim të muajit tetor Prokuroria e Vlorës kërkoi dënimin me katër vite burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej tre vitesh, për Shpëtim Gjikem, akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave të personit që ka për detyrë t’i lëshojë” dy herë, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, për të njëjtën akuzë, Prokuroria kërkoi dënimin me tre vite burg dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej tre vite për Eleni Dardhaj, punonjëse e Bashkisë Vlorë. Prokuroria kërkoi dënimin me dy vjet e gjashtë muaj burg për Blerdi Liçaj dhe nga dy vjet burg për Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”. Për Prokurorinë e Vlorës, zyrtarët e Bashkisë Vlorë kanë falsifikuar dy proces-verbale të mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit, në bazë të të cilave u janë dhënë leje ndërtimi disa shtetasve bashkëpronarë dhe një shoqërie ndërtimi. Prokuroria kërkoi nga gjykata që të shpalli fajtor katër të pandehurit si edhe të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur “Tre Racat”, Vlorë, si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, e ndodhur pranë Portit Detar Vlorë, dy objekte për të cilat prokuroria deklaroi se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të falsifikuara dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.