Gjermania aprovon fondin e shpëtimit për eurozonën

Gjykata Kushtetuese në Gjermani i ka hapur rrugën fondit të përhershëm për shpëtimin e eurozonës, që njihet ndryshe si Mekanizmi i Stabilitetit Europian, ESM.
Por vendimi i marrë sot nga gjykata më e lartë gjermane vjen me një kushtëzim sa i përket kontributit që Gjermania mund të japë në këtë fond, kontribut i cili nuk mund të tejkalojë shifrën e 190 miliard euro.
Sipas vendimit shuma mund të tejkalohet vetëm me aprovimin e parlamentit gjerman. Kështu gjykatësit hodhën poshtë të gjitha thirrjet kundër, të paraqitura me firmën e 37 mijë qytetarëve gjermanë që kërkonin bllokimin e fondit të përhershëm për shpëtimin e eurozonës dhe traktatin fiskal europian.
Gjykata kushtetuese vendosi gjithashtu që të dyja dhomat e parlamentit gjerman të përfshihen në vendimet e ardhshme të qeverisë gjermane sa i përket fondit ESM dhe paktit fiskal. Vendimi, u prit me duartrokitje në sallën e parlamentit europian pasi presidenti i PE-së Martin Schulz njoftoi eurodeputetët. Po kështu reagim i menjëhershëm pozitiv erdhi edhe nga tregjet financiare dhe bursat europiane.
Ballkanweb.com
Add new comment