Fyerjet ndaj shqiptarëve, Radio Shkupi bojkot aktiviteteve maqedonase

Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe, ka informuar sot dëgjuesit e saj se për shkak të fyerjeve të vazhdueshme ndaj shqiptarëve nga ana e tifozëve maqedonas, ka vendosur që të mos transmetojë asnjë aktivitetet që kryen përfaqësuesja kombëtare e Maqedonisë, qoftë në futboll, basketboll, hendboll apo sport tjetër. "Duke u nisur nga fakti se në vazhdimësi tifozët e Maqedonisë, pavarësisht se për cilin sport bëhet fjalë, qoftë handball, futboll, basketboll apo ndonjë sport tjetër, ofendojnë shqiptarët në baza etnike, Radio Shkupi, programi në gjuhën shqipe ka vendosur të mos informojë opinionin për çfarëdo lloj aktiviteti në lidhje me këtë çështje",-thuhet në një njoftim të Radio Shkupit, në të cilin i bëhet thirrje edhe mediave të tjera jashtë dhe brenda vendit që të mbajnë të njëjtin qëndrim me qëllim sensibilizimin e opinionit. Shteti, sipas saj, të marrë masat e nevojshme, për të dënuar ata që përdorin fjalorin e urrejtjes ndaj shtetasve shqiptarë, me pretendimin se vetëm me një qëllim të tillë mund t'i jepet fund këtij precedenti të pashembullt.
Albanian Screen
Add new comment