ERE “sulmon” CEZ: Luftuam monopolin

Postuar në 18 Dhjetor, 2011 07:46

Një ditë pas vendimit të tarifave të reja për vitet 2012-2014, Enti Rregullator i Energjisë jep argumentet pse e çuan të pranonte kërkesat e KESH-it dhe OST-së për rritjen e çmimit. 

Në procesin e vendimmarrjes, siç pasqyroi të dielën gazeta “Shqip”, ERE thotë se është udhëhequr nga parimet e transparencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga “mundësia e veprimit të efektit monopol në sistemin e furnizimit me energji elektrike”. 

Enti vlerëson se çmimet dhe tarifat e miratuara të energjisë elektrike sigurojnë të ardhurat e nevojshme për shoqëritë KESH, “TEC Vlora”, OST dhe CEZ (këtë të fundit e përmend me emrin OSSH, kur ka një vit që e ka ndërruar).
 
“Inkurajimi i investimeve, si një faktor me rëndësi që ndikon në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, në përmirësimin e cilësisë së furnizimit, në rritjen e transparencës ndaj konsumatorit, në zvogëlimin e humbjeve teknike dhe joteknike, në përmirësimin e kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të pasurisë së qytetarëve etj.”, thotë Enti. 

ERE, edhe përgjatë periudhës së tretë rregullatore 2012-2014, vendosi të ruajë të njëjtat çmime, si dhe sistemin tarifor me dy blloqe, duke lënë në fuqi një çmim prej 7.70 lekësh/këh për konsumin deri 300 këh dhe për konsumin mbi 300 këh një çmim prej 13.50 lekësh për këh, me argumentin se dekurajon shfrytëzimin e energjisë elektrike për ngrohje e gatim dhe këto dy shërbime mund të garantohen nga burime alternative me kosto konkurruese.

Sakaq, CEZ-i ka deklaruar se vendimi i fundit do t’i kushtojë mosrealizimin e investimeve, në masën e 65 milionë eurove, si dhe marrjen e masave për reduktimin e kostove, që do të thotë tkurrjen e pagave dhe largime nga puna në radhët e 4500 punonjësve. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.