Egjiptiani kërkon azil politik në Shqipëri, luftoi kundër Mursit.

Postuar në 07 Dhjetor, 2014 04:46

Egjiptiani El Sayed Ali Ahmed El Ezabi i dënuar me 24 vjet burg në vendin e tij kërkon azil politik në Shqipëri. Ai është arrestuar 6 ditë më parë në Kapshticë dhe pretendon se ekstradimi në Egjipt i rrezikon jetën pasi është dënuar nga një proces i montuar politik.

Egjiptiani i arrestuar në Kapshticë, El Sayed Ali Ahmed El Ezabi kërkon azil politik në Shqipëri, për të bërë të mundur moskthimin në vendin e vet, pasi atje i rrezikohet edhe jeta. Sipas të dhënave mësohet se i dënuari në Egjipt me 24 vjet burg për “grusht shtetit” kërkon që mos të ekstradohet drejt vendit të tij dhë bëhet me dije se kërkesa është dorëzuar pranë drejtorisë së azil-kërkuesve në Ministrinë e Brendshme.

Burimet thonë se gjatë parashtrimit të kërkesës, egjiptiani El Ezabi ka qenë i shoqëruar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Theodhori Sollaku, me cilësinë e avokatit mbrojtës të të huajit.

Mësohet se kërkesa është argumentuar për faktin se në Egjipt, ai është dënuar për shkak të bindjeve politike dhe angazhimeve të tij për të rikthyer në pushtet presidentin e rrëzuar me anë të grushtit të shtetit Muhamed Mursi. El Ezabi pretendon se procesi gjyqësor ndaj tij ka qenë politik dhe nëse ekstradohet në Egjipt i rrezikohet edhe jeta.

Sipas urdhrit të Interpolit, të lëshuar nga drejtësia e Kajros, El Sayed Ali Ahmed El Ezabi rezulton i dënuar në prill të këtij viti me 24 vite burg, pasi ai akuzohet për akte terroriste, vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të armatosur, kërcënim personash, vandalizëm dhe armëmbajtje pa leje.

Këto akuza, sipas vendimit, janë konsumuar gjatë periudhës 16 deri më 23 gusht 2013 në ‘Port Said’ të Egjiptit, kohë kur janë organizuar mbështetësit e ish-presidentit Muhamed Mursi, për rikthimin e tij në pushtet pas grushtit të shtetit.

Arrestimi i tij është bërë një javë më parë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në momentin që El Ezabi bashkë me bashkëshorten dhe një mikun e tyre po hynin në Shqipëri. Pas arrestimit, për llogari të drejtësisë së Egjiptit, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor për El Ezabin, kohë kjo që i është vënë në dispozicion organeve të drejtësisë së Kajros të sjellin kërkesën për ekstradim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.