Drejtësi për Ramushin!

Postuar në 22 Nëntor, 2012 03:55

Po bëhet gati një javë që shteti serb bashkë me miqtë e tij dhe me mediat e atjeshme, kanë nisur një fushatë të paprecedentë për të ndikuar në vendimin e Tribunalit të Hagës në rastin e ish- kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Një fushatë njëkohësisht e gërditshme, e pafrytshme, denigruese ndaj vetë Tribunalit të Hagës, si institucion i drejtësisë dhe jo politikës, por edhe kundër fqinjësisë së mirë me Kosovën, që dialogu mes dy shteteve po tenton të promovojë.

E zënë ngusht dhe e habitur nga vendimi i Tribunalit të Hagës që shpalli të pafajshëm gjeneralin kroat Ante Gotovina dhe miqtë e tij, shteti serb me gjasë naivisht po beson se duke ndezur motorrët politikë të ndikojë në gjyqin ndaj Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Tribunali i Hagës si institucion i drejtësisë duhet të hedhë poshtë dhe të mos i dëgjojë fare ankesat dhe presionin politik të Serbisë. Meqenëse një gjë e tillë edhe pritet të ndodhë, atëherë shpërfaqja e naivitetit të elitave politike serbe, miqve të tyre ndërkombëtarë dhe medieve që atje janë gjithçka veçse jo të pavarura, është e pashmangshme.

Shteti serb duhet të qortohet publikisht nga ana e Tribunalit të Hagës për vështirësim të punës së tij. Në këto rrethana çfarëdo vendimi negativ i Tribunalit do të mveshet me vellon e ndërhyrjes politike. Dhjetë vite pas largimit të Milosheviqit dhe ndërrimit të pushteteve të atjeshme, asgjë nuk ka ndryshuar në qasjen e shtetit serb ndaj këtij institucioni ndërkombëtar. Kjo është e dëmshme.

Argumenti serb se lirimi i Ramushit do të pengonte bisedimet, përveçse patetik është edhe plotësisht i pasaktë. Ramushi nuk ka pasur të drejtë të flasë qe sa muaj, por partia e tij është duke marrë “shuplaka” fytyrës nga shoqëria kosovare, për shkak të zbutjes së qëndrimeve të saj karshi qeverisë, si dhe përkrahjes për negociatat politike. Argumentimet e tilla dhe tendencat për ndërhyrje politike të Serbisë, rëndojnë klimën e mirëbesimit- edha ashtu të rëndë- mes palës kosovare dhe serbe, që do të duhej të ishte një parakusht për dialog të sukseshëm.

Drejtësia duhet të thotë fjalën e vet. Hapur dhe pa ndikime.

I rraskapitur që më shumë se shatë vjet, Ramush Haradinaj më shumë se për çkado tjetër ka nevojë për drejtësi. Ka nevojë për një lajm, besojmë të mirë, të pandikuar nga politika. Ama para së gjithash për një gjykim të drejtë, që do të ketë një fund. Familja e tij ka nevojë për të dhe për të vërtetën.

Përderisa krimi nuk njeh komb, dhe secila viktimë të llogaritet, kërkesat e Serbisë për balance politike për agresionin dhe krimet e saj në Kosovë, e bëjnë pikërisht të kundërtën. Balancet asnjëherë nuk janë vendosje e drejtësisë. Në fakt si të tilla, ato janë vetëm një padrejtësi e rradhës. Një rivrasje e atyre që tashmë janë të vdekur. Edhe të atyre serbëve që humbën jetën e tyre në Kosovë.

Bilanci i luftës dhe viktimave është edhe në teori i pamundshëm të bëhet. Mijëra kosovarë janë vrarë dhe mijëra të tjerë ende mbesin të zhdukur. Serbia ishte agresori, dhe ne ishim viktima. U munduam dhe luftuam dhe vetë, por ishte bashkësia nderkombëtare që na shpëtoi në emër të humanizmit.

Nëse do të mendonim me logjikën e njëjtë si atë të shtetit serb, edhe vetë Daçiq dhe Nikoliq për shqiptarët e Kosovës janë kriminelë dhe vrasës, me të cilët jo vetëm që nuk do duhej të bisedohej por edhe duhen ndjekur për krime. Por ata janë njëkohësisht edhe liderë të serbëve. E ardhmja kërkon që nganjëherë edhe të gëlltitemi. Nuk ndihemi komod si shoqëri me këtë fakt.

Në fakt vendosja e drejtësisë për Kosovën tejkalon vrasjet. Kush do të vendosë ta zëmë drejtësinë për faktin që si pasojë e shtetrrethimit të Serbisë, për 10 vjet nuk morëm edukim të mirë, nuk patëm përkujdesje shëndetësore të mirë, nuk ishim të lirë të argëtoheshim e kënaqeshim, që u detyruam të bëjmë punë “hamallësh” për të mbijetuar, që vëllëzerit dhe motrat tona morën malet e fushat drejt kurbetit për të shpëtuar familjet e tyre. Si dhe kush do të vendosë një balanc politik këtu?

Lufta nuk prodhon vetëm viktima, por edhe stagnim e depresion. Me çka do të balancojmë këtu me Serbinë?

Për hir të së ardhmes, dhe për të përmbyllur ciklin e vuajtjeve e dhimbjeve, shteti ynë ka hequr dorë nga kërkesa për të vendosur balance të tilla. Nëse për asgjë tjetër për këtë meritojmë drejtesinë. Si qytetarë, si popull, si vend.

Drejtësi për Ramush Haradinajn.

Astrit Gashi, Zëri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.