Do paguajnë gjakun, urdhër i ri për spitalet private

Spitalet private do të paguajnë gjakun, që marrin në të vetmin institucion shtetëror, në Qëndrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Nëpërmjet një urdhëri të ri të Ministrisë së Shëndetësisë spitalet private do të paguajnë koston e materialeve, e cila shkon jo pak po 6 mijë e 5 qind për çdo qese.
Deri tani, sipas drejtorit të politikave pranë ministrisë së Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, në vendin tonë nuk ekziston ende asnjë institucion privat, që merret më mbledhjen e gjakut.
"Marrja e gjakut ka një konsto, nuk është vetëm kostoja humane, ka dhe një kosto, që është kostoja e qeses së gjakut që kushton goxha shtrenjtë. Kemi solucionet konservuese të gjakut, kemi ndarjen e gjakut në masa të ndryshme. Me urdhër të ministrit të Shëndetësisë dhe me propozimin tonë, këto koste duhet ti paguajë spitali jopublik, sepse nuk mund ta paguajmë ne, e ta marrin ata"- tha Pëllumb Pipero, drejtor i Planifikimit të Politikave në MSH.
Në vendin tonë dhurimet janë shtuar ndjeshëm dhe zënë afro 90 përqind të sasisë të grumbulluar të gjakut dhe për pasojë, thonë specialistët e shëndetësisë, gjaku është më i sigurt. Të paktën dy vitet e fundit nuk është konstauar asnjë rast i infektuar nga transfuzioni i gjakut. Ndërsa për sasinë e gjakut thonë ata duhet të punohet më shumë, pasi nuk plotësohen dot të gjitha nevojat.
Julia Bardhushi
Albanian Screen
Add new comment