Djali i Remzi Hoxhës: Prej 16 vitesh presim drejtësi nga shteti shqiptar

Postuar në 10 Tetor, 2011 05:47

Djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, që u rrëmbye 16 vjet më parë, ka bërë sërish apel për ndëshkimin e autorëve që rrëmbyen dhe vranë të atin e tij.

Në një konferencë për shtyp të dhënë në Prishtinë, ai ka akuzuar drejtësinë shqiptare se është vonuar me vite për ekstradimin dhe gjykimin e Ilir Kumbaros, një prej të akuzuarve për zhdukjen e Remzi Hoxhës. “Për mbi 15 vite Ilir Kumbaro fshihet në Britani të Madhe me identitetin e vjedhur të Shaqa Shatrit. Kjo është një dëshmi e gjallë se Ilir Kumbaro nuk e ka aspak problem të merr identitetin e tjetër kujt, ashtu si nuk e kishte problem t’ia merrte jetën babait tim”, ka thënë Ardian Hoxha.

“Sot jemi ketu për të kërkuar nga drejtësia shqiptare që të vendos për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri, dhe të na e dëshmojë se në Shqipëri ka drejtësi. Të na dëshmojë se në Shqipëri mund të jetohet. Të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova. Të na dëshmojë se jemi të mirëseardhur në Shqipëri. Për 16 vite jemi duke pritur për drejtësi. Për 16 vite po kërkojmë fatin e babait tim. Për 16 vite po kërkojmë eshtrat e tij. Për 16 vite po mundohemi t’i bëjmë një varr. Lus Zotin që kjo që i ka ndodhur babait tim dhe familjes time të jetë e fundit në Shqipëri”, ka përfunduar deklaratën e tij djali i Remzi Hoxhës.

Për këtë ngjarje, përveç Ilir Kumbaros, akuzohen edhe Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi.

Marrë nga Tema

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.