Diplomacia e Shkupit, notë proteste ambasadores greke

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë i ka dorëzuar notë proteste ambasadores greke në Shkup, Aleksandra Papadopolu. Nota e protestës iu dorëzua lidhur me rastin e vendosjes së kodit FYROM në targat e makinave të Maqedonisë që mbajnë kodin MK.
MPJ ka kërkuar menjëherë që autoritetet greke të ndërprerjen këtë praktikë jo legjitime. Sipas kësaj ministrie, targat e reja janë në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare, dhe se Greqia nuk vepron në përputhje me Marrëveshjen e Përkohshme.
Organet kufitare greke aplikojnë vendosjen e fletëve ngjitëse me kodin FYROM mbi targat e reja të Maqedonisë që mbajnë kodin MK. MPJ ka theksuar se nga ankesat e para të qytetarëve që kanë udhëtuar në territorin grek janë bërë vërejtjet dhe ankesat pranë autoriteteve greke për të shmangur këtë praktikë të vendosur.
Të gjithë qytetarët e Maqedonisë që ditëve të fundit hyjnë në Greqi duhet që të ngjitin logon me përmbajtjen “e njohur nga Greqia si FYROM”, në gjuhën angleze dhe greke, me të cilën mbulohet targa në pjesën anësore ku gjendet kodi shtetëror MK.
Por Zyra greke në Shkup informoi për problemet e fundit me hyrjen e automjeteve të regjistruara të Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë, me targat me kodin MK në territorin grek.
“Hyrja e automjeteve në territorin grek është rregulluar me masat praktike që lidhen me Marrëveshjen e Përkohshme dhe është rënë dakord nga të dyja Palët. Sipas këtyre masave, me hyrjen e automjeteve private me shenjën MK në territorin e Greqisë, zyrtarët grekë janë të detyruar që të vendosin kodin ngjitës FYROM në pjesën e jashtme të makinës, pasi që me këtë zbatohet kjo marrëveshje”, informon Zyra Greke, duke shtuar se nuk është e vërtetë se këto makina për shkak të vendosjes së fletëngjitëses me kodin FYROM duhet të paguajnë një shumë parash prej 20 eurove.
Ballkanweb.com
Add new comment