Chavez: Konspiracioni i Amerikës na sëmuri me kancer

Postuar në 29 Dhjetor, 2011 13:16

Hugo Chavez, presidenti socialist i Venezuelës, nuk i kursen akuzat kundër Shteteve të Bashkuara edhe në forma nga më të çuditshmet madje. Ndërsa ka treguar solidaritet për Presidenten e Argjentinës, Kristina Fernandez de Kirchner, e cila vuan nga kanceri në tiroide, Chavez ka artikuluar edhe mundësinë e një konspiracioni amerikan kundër liderëve të Amerikës së Jugut. 

"A do të ishte e çuditshme të imagjinohet se Shtetet e Bashkuara kanë shpikur teknologji që nxit kancerin? Nuk e di me siguri, jam thjesht duke bërë publik një hamendësim timin, por është shumë e çuditshme që ne të gjithë jemi të sëmurë nga kanceri",-deklaroi Chavez.

Në Amerikën Latine gjatë muajve të fundit janë zbuluar të prekur nga kanceri përveç presidentit venezuelian Hugo Chavez dhe brazilianët Lula dhe Dilma Roussef, presidenti i Paraguait Fernando Lugo dhe çifti Kirchner nga Argjentina. Presidentja e Argjentinës e cila do t'i nënshtrohet operacionit më 4 janar, tha se sëmundja e saj ishte diagnostikuar gjatë një kontrolli rutinë. Ndërsa falenderoi për dashurinë e treguar punonjësit e qeverisë argjentinase ajo deklaroi se ndër të parët që i kishin telefonuar për t'i treguar mbështetje, ishte presidenti i Venezuelës Hugo Chavez. Ndërsa ka ngritur nga Karakasi teorinë e një konspiracioni amerikan, Chavez tha se përhapja e sëmundjes mes presidentëve të Amerikës së Jugut është e vështirë për t'u shpjeguar me anë të probabilitetit.

 Madje ai ka hequr paralele edhe me infektimin e qëllimshëm të të burgosurve të Guatemalës nga qeveria amerikane në vitet '40. Në fund, lideri socialist nuk nguroi të bënte humor, ndërsa tha se tani e tutje do të kujdesej në mënyrë të veçantë për homologët e Bolivisë dhe Ekuadorit-Evo Morales e Rafael Correa-përndryshe ku i dihet; edhe ata mund të diagnostikohen me kancer. 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.