Censura në Web, Kina i “mbyll gojën” mikroblog-eve
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/8500_4_95.jpg?itok=1Ho2mDJf)
Qeveria kineze druan se “zërat” e rrjetit mund të shndërrohen në “sirena” revolte, dhe imponon shtrëngime të reja. Autoritetet e Pekinit kanë shpallur se përdoruesit e mikroblog-ut Weibo,- Twitter-i kinez, (i vërteti është rreptësisht i ndaluar në vend që prej 2009),- do të duhet të regjistrohen me të dhënat e tyre personale reale. Rregullat e reja të hyra në fuqi menjëherë, i japin tre muaj kohë përdoruesve për të kryer regjistrimin. Në rast të kundërt, përdoruesit do tu bllokohet hyrja në site e do të përballen me “pasoja legale”. Rregullat e reja parashikojnë dhe një limitim të përmbajtjeve të mesazheve të publikuara në internet, janë të ndaluara informacione që kanë të bëjnë me sekrete shtetërorë, që dëmtojnë interesat dhe sigurinë kombëtare dhe që shtyjnë në diskriminim dhe ndarje etnike.
“Masat e reja – shpjegon për agjensitë e shtypit një zëdhënës i zyrës së informacionit në internet të Pekinit – synojnë të ruajnë interesat e përdoruesve të web-it dhe të përmirësojnë besueshmërinë e rrjetit”.
Fakti qëndron se shtrëngimi i ri në betejën kineze ndaj mediave sociale, mbërrin pas më pak se një javë që nga ngjarja tragjike që ka tronditur fshatin Wukan, në jug të Kinës. Fshati ndodhet në provincën Guadong, ku prej shtatorit ka nisur një revoltë kundër shpronësimit të terrenit të përbashkët pa një shpërblim si parashikohet nga ligji. Vetëm pak ditë më parë protesta është rindezur pasi, në rrethana ende të errëta, ka vdekur Xue Jinbo një banor i fshatit që po bisedonte me autoritetet mbi kërkesat e popullatës. Xue është arrestuar nga policia dhe ka vdekur në qeli, banorët e fshatit, të bindur se burri ka vdekur si pasojë e brutalitetit të policisë, kanë bllokuar rrugët që të çojnë në fshat.
Protesta e tyre, falë rrjetit të mikroblog-ut dhe video të përhapura në You Tube ka arritur të çajë mburojën e trashë të censurës qeveritare dhe të arrijë shtypin ndërkombëtar. Ngjarja ka prodhuar siklet të madh për autoritetet shtetërore që tashmë druajnë një përhapje të revoltës. Nuk është e rastit që përmbajtjet e para të goditura nga masat e reja shtrënguese, janë pikërisht ato që kanë të bëjnë me ngjarjen në fshatin Wukan.
Weibo është site më i frekuentuar në Kinë, llogaritet që më shumë se 30 % e kinezëve që kanë mundësi lidhje interneti përdorin platformën në stilin Twitter rregullisht. Deri më sot faqja numëron më shumë se 140 milion të regjistruar dhe kalon dy milion publikime ditore. Një rrezik konstant për Vëllain e Madh të Republikës Popullore Kineze.
Ballkanweb.com
Add new comment