Cameron: Sa të jem kryeministër, s'do jemi pjesë e Eurozonës
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/9336_6_54.jpg?itok=17m957Kv)
LONDER - Kryeministri britanik David Cameron shpjegoi në Parlament veton kundër traktatit të BE-së, në samitin e fundit të unionit europian, që u zhvillua javën e kaluar.
Kryeministri britanik deklaroi se traktati i ri i BE-së përbën rrezik për financat e vendit.
“Sa të jem kryeministër, nuk do jemi pjesë e Eurozonës. Ne kërkojmë mbrojte e siguri për financat tona”, - deklaroi Cameron.
Nderkaq Cameron tha përpara deputetëve se kishte negociuar me dëshirën e mirë dhe se kërkesat e tij ishin modeste, të arsyeshme dhe relevante. Cameron u shpreh se vetoja nuk kishte qenë e lehtë, por ishte një veprim i duhur për Britaninë e Madhe. Ai nënvizoi se Anglia do të angazhohet në “bashkëpunim konstruktiv” me vendet e tjera të BE-së.
Vendimi i Kryeministrit Cameron është shoqëruar me kritika të forta nga ana e opozitës, e cila akuzon për lënien e Britanisë të vetme në përballimin e krizës financiare. Lideri i opozitës, Milliband e akuzoi kryeministrin Cameron se vetoja e tij e ka lënë Britaninë e Madhe pa një zë në Bashkimin Europian.
Milliband kërkoi që kryeministri Cameron të shprehet qartë se cili ishte kërcënimi për financat e Britanisë, duke theksuar se Cameron nuk mund të pretendonte të bindte vendet e Europës, kur ai nuk kishte bindur ende deputetët dhe anëtarët e koalicionit te tij. Sipas Milliband, kryeministri vuri përpara interesit kombëtar interesin e partisë së tij.
Por Cameron ka gjetur përkrahje në shumicën e anglezëve, sipas sondazheve të kryera nga shtypi.
Ballkanweb.com
Add new comment