Bulqizë, minatorët paralajmërojnë rinisjen e protestave

Postuar në 22 Dhjetor, 2011 12:40

 Federata e Sindikatave të Industrisë së Shqipërisë paralajmëron se minatorët e Bulqizës do të rinisin protestat brenda 3 ditësh, në rast së nuk zbatohet akt-marrëveshja e arritur disa javë më parë mes minatorëve dhe kompanisë koncesionare ACR.

Lajmi u konfirmua nga kryetari i Federatës, Taf Koleci menjëherë pas mbledhjes së jashtëzakonshme që u zhvillua sot. Koleci bëri të ditur se Federata e Sindikatave të Industrisë së Shqipërisë vendosi përshkallëzimin e lëvizjeve sindikaliste në minierën e Bulqizës.

Sindikalistët i bëjnë thirrje firmës koncesionare ACR, ministrit të Ekonomisë Nasip Naço dhe ministrit të Punës, Spiro Ksera, që miniera e Bulqizës të rifillojë punën sa më parë, në nivelin 15-16 si dhe në zonën D. Gjithashtu ata kërkojnë dhënien e pagës së 13-të, të mbështetur në kontratën kolektive të punës dhe në akt-marrëveshjen e nënshkruar, pas përfundimit të grevës dhe protestave.

Koleci deklaroi se Këshilli Kombëtar i Federatës së Industrisë vendosi që protestat do të rifillojnë brenda tre ditësh, nëse nuk do të zbatohet marrëveshja e nënshkruar.

Edhe sindikata e minatorëve paralajmëroi rinisjen e protestave. Sekretari i kësaj sindikate Baki Bajraktari deklaroi se marrëveshja e arritur me kompaninë ACR nuk po zbatohet. Sipas Bajraktarit, firma ACR nuk ka dhënë ende pagën e 13-të, sipas marrëveshjes së arritur mes palëve, e cila çoi në ndërprerjen e grevës së urisë pak kohë më parë.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.