Bulqizë, atentat me armë zjarri

Postuar në 20 Dhjetor, 2011 04:44

Një atentat me armë zjarri është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të hënës në Bulqizë, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona.

Burime policore lokale njoftojnë se shtetasit Diamant Tranci dhe Luan Drenova janë qëlluar me armë automatike nga persona që po udhëtonin me një makinë tip fuoristradë.

Sipas burimeve, dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, pasi për shkak të plagëve të marra kishin nevojë për trajtim të specializuara.

Burimet shtojnë më tej se agjentë të antikrimit po hetojnë për të zbardhur shkaqet e ngjarjes dhe për të identifikuar autorët e atentatit.

Atentate të tilla janë pothuajse në rend të ditës në vend dhe ndryshe nga këtë herë, në ditët e kaluara kanë përfunduar me vrasjen e disa qytetarëve.

Katër ditë më parë, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës, një person u vra dhe një tjetër u plagos në një atentat që kishte në sfond gjakmarrjen.

Viktima, shtetasi Nush  Gjerkaj, i cili punonte si shofer autoshkolle, ishte duke pirë kafe me një kolegun e tij, kur brenda në lokal u fut një person dhe e qëlloi disa herë me pistoletë.

Ndërsa më herët gjatë muajit, në fshatin Gjegjan pranë qytetit të Pukës, një 60-vjecar u ekzekutua me një plumb të vetëm në kokë.

Që atëherë, ende nuk është zbuluar se cilat ishin shkaqet që sollën vrasjen e shtetasit Gjon Prendi dhe as se cilët mund të jenë autorët e këtij akti kriminal.

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.