Bode e pranon: Amnistia dështoi

Postuar në 10 Dhjetor, 2011 12:25

Amnistia fiskale nuk është më pjesë e listës së sukseseve të lakuara nga qeveria. Në kohën kur kanë mbetur vetëm tri javë nga mbyllja e saj, duket se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç pritej dhe këtë konfirmim e dha dje kreu i Financave, Ridvan Bode. Ministri i pranishëm në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Bujqësisë ia faturoi këtë pjesë të dështimit mungesës së konsensusit politik dhe kundërshtive të opozitës. “Nisur nga situata në të cilën u zhvillua nga mungesa e një konsensusi politik dhe debati të fortë politik e nga kundërshtitë e shprehura të opozitës lidhur me këtë nismë, nuk u arrit maksimalisht objektivi”, tha dje Bode. Pjesa ku duket se amnistia dështoi, ishte ajo e legalizimit të kapitalit nga ana e biznesit, i cili përgjatë gjithë procesit si të diskutimit të ligjit edhe të zbatimit të tij hodhi dyshime të forta nëse do të “përndiqej” pas këtij deklarimi apo jo. Gjithsesi, për ministrin Ridvan Bode amnistia pa dyshim që u shërbeu qytetarëve dhe biznesit për t’i liruar “nga një sërë detyrimesh dhe nga mënjanimi i një sërë pagesash të rritura për shkak të dinamikës që ka pasur tregu i pasurive fikse në Shqipëri”.
Shpërblimet
Qeveria ka zgjeruar dietën e saj, duke e transferuar efektin e kursimit deri te pensionistët. Shpërblimi, që është trumbetuar aq shumë çdo vit nga Kryeministri Sali Berisha si kartolina e urimit për këtë kategori, në fund të këtij viti nuk do të “dërgohet”. Ministri i Financave, Ridvan Bode, konfirmoi dje se pensionistët shqiptarë këtë vit nuk duhet ta presin gjelin e Vitit të Ri nga qeveria. “Ne kemi deklaruar që deri më sot nuk kemi mundësi, sikurse e thashë është një vit tepër i veçantë. Në bëmë rritjen e pensioneve përgjatë vitit, ndërkohë që në një sërë vendesh të tjera kemi të bëjmë me ulje të shpërblimeve, të pensioneve të lokacioneve të ndryshme që japin buxhetet për shkak të krizës dhe vështirësive që ka çdonjëri prej vendeve. Ne nuk patëm të tilla, ndoqëm politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve, kështu që ato shpërblime që kemi përdorur herë pas here, nuk do të jenë në dispozicion për këtë vit”, u shpreh Bode. Por, ndryshe nga pensionistët, për administratën është menduar një shpërblim. Për të tretin vit radhazi, ata do të marrin 10 mijë lekë për punonjës si shpërblim dhe paratë do të merren nga fondi i veçantë. “Për administratën publike, sigurisht që do të jetë nga fondi i veçantë ajo pjesë që e kemi paguar vitet e fundit një shpërblim prej 10 mijë lekësh për çdo të punësuar”, nënvizoi ministri. Në një vit të vështirë fiskal, kur qeverisë iu desh të shkurtonte në mes të vitit miliarda lekë, objektiv duket se ka mbetur ruajtja e parametrave të tillë, si deficiti dhe borxhi. Çdo shpenzim duket se është llogaritur me kujdes nga Financat për ta mbyllur këtë vit pa ndonjë ndërhyrje të tretë në buxhet. “Do të respektohen ata objektiva që ne tashmë i kemi shprehur, pra një deficit prej 3 për qind, për të mos e kaluar këtë deficit dhe për të ruajtur parametrat e borxhit në ata parametra që kemi, pa çuar në ndonjë shkurtim apo ndalim shpenzimesh të tjera eksesive nga ato që u programuan në korrik të vitit në vijim”, tha Bode.

 

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.