Bode dhe BB: Si do rritet mosha e daljes në pension

Postuar në 18 Mars, 2012 08:48

Banka Botërore, e cila po asiston qeverinë shqiptare për reformën në pensione, ka dhënë sinjal të qartë se rritja e moshës së daljes në pension është një nga zgjidhjet më të mundshme të problemit. Gjatë prezantimit të raportit “Rritja e artë: Rikthimi i shkëlqimit të Europës”, Indermit Gill, kryekonomist i rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore u shpreh se duhet pasur kujdes nga skemat e mbrojtjes sociale që tejkalojnë kapacitetet. Ai rekomandoi që me rritjen e jetëgjatësisë të rritet edhe mosha e punës, duke dekurajuar kështu daljen e hershme në pension. “Nuk di shumë detaje për Shqipërinë, por rregulli i përgjithshëm është që është shumë e vështirë të mbash një sistem mbrojtjeje sociale të qëndrueshëm në momentin që inkurajohen njerëzit të dalin në pension herët e më herët kur nga ana tjetër kemi rritje të jetëgjatësisë. Kjo është diçka nga cila duhet të mësojmë”, tha Gill. Gjithsesi, sipas raportit të Bankës Botërore, më shqetësuese janë ato vende që shpenzimet për mbrojtjen sociale e kanë mbi 10 për qind të GDP-së së tyre. Shqipëria e ka 8.2 për qind të GDP-së shpenzimin për këtë aspekt, por sigurisht që duhet bërë kujdes, pasi financimi i këtyre skemave kur bëhet i vështirë fillon e merr fondet që janë të destinuara për sektorë themelorë, siç janë arsimi apo shëndetësia. 
Ministri Bode 
Për kreun e Ministrisë s Financave, Rdivan Bode, rritja e moshës së daljes në pension është një pjesë që është lakuar nga qeveria, dhe kjo do të parashtrohet tashmë në perspektivë gjatë reformës së skemës. Shqipëria iu nënshtrua një reforme më të hershme që rriti moshën e daljes në pension për plot dhjetë vite, ku çdo vit rritja ishte me 3-6 muaj kohë pune. Por, kjo tashmë përfundoi dhe sërish po shihet një diferencë e madhe mes rritjes së jetëgjatësisë dhe moshës së daljes në pension, çka po lëkund nga themelet skema të orientuara për mbrojtjen sociale jo vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të tjera të Europës. Shpenzimet për këtë skemë janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. “Mendoj se kjo është çështje e reformës në skemën e pensioneve, në mënyrë që Shqipëria të ketë një dimension të përshtatshëm të shpenzimeve që bëhen për këtë qëllim. Duhet thënë që këto shpenzime në vitet e fundit janë rritur në mënyrë të dukshme. Ato kalojnë 10 për qind të PBB-së nga 6 për qind që ishin 6 vjet të shkuara”, shprehet Bode. Ai vlerëson se tashmë është momenti kur duhet të bëhet përputhja e kapaciteteve që ka qeveria për të përballuar shpenzimet e kësaj skeme me zbatimin e politikave të caktuara, në të kundërt, kjo do të ketë pasoja. “Më vonë do të ketë probleme, sikurse kanë vendet e tjera që janë detyruar të ndërmarrin politika të menjëhershme në aspektin social për ta përputhur me dimensionet e qeverisjes. Është e nevojshme dhe e domosdoshme ndërmarrja e një reforme për skemën e pensioneve”, tha kreu i Financave. Prej disa kohësh, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare janë duke punuar për reformën në skemën e pensioneve, pasi ishte pikërisht ky institucion që vuri alarmin se skema aktuale paraqiste rrezik falimentimi.

 

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.