Bode: “Albpetrol” na prishi skenarët

Rishikimi i buxhetit për vitin 2012, ose më saktë korrigjimet e fundit, do të ndikojnë në ecurinë e rritjes ekonomike, që sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, nuk do të jetë për këtë vit 3 për qind, por 1 deri në 2 për qind. Këto vlerësime ishin dhënë më parë nga FMN dhe Banka Botërore, por Kryeministri i injoroi, duke i thumbuar se “e shohin gjithnjë gotën gjysmë bosh”.
Duke folur në “Debat” te “Vizion Plus”, ministri i Financave iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me situatën ekonomike në vend, duke mbajtur në fokus buxhetin e shtetit, borxhin publik, rritjen e ekonomike (Prodhimin e Brendshëm Bruto), çështjen e privatizimit të “Albpetrol” dhe CEZ-in.
Sipas ministrit, heqja me ligj e kufirit të borxhit publik nuk do të thotë detyrimisht rritje e tij, pasi dhe kushtet e krizës ekonomike në Eurozonë të diktojnë për të pasur kujdes. Për vitin 2013, qeveria parashikon ta çojë borxhin publik në nivelin e 62.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rritje gati 9 për qind, ose në vlerë gati 9 miliardë dollarë.
Duke folur për buxhetin e shtetit për 2013-n, ministri tha se mundësitë e qeverisë shqiptare për shpenzimet e programuara ishin të limituara, nisur nga situata në rajon. Pse qeveria solli tani në fund të vitit rishikimin e buxhetit, me afro 16 miliardë lekë (150 milionë dollarë)?
Ministri e lidh këtë me privatizimin e “Albpetrol”-it. Sipas tij, plani ishte për ta korrigjuar buxhetin në muajin korrik, por kishin shpresa se nga shitja e “Albpetrol” do të krijonin të ardhura të mjaftueshme, aq sa nuk do të ishte nevoja për ulje të shpenzimeve, por korrigjim për shkak të rritjes së të ardhurave. Privatizimi ende nuk ka ndodhur dhe Financat mbetën të zbuluar me planin e tyre, duke u detyruar të sjellin në ditët e fundit të dhjetorit shkurtimet. Të ardhurat e pritshme deri në fund të këtij viti do të jenë afro 22 miliardë lekë më pak.
Ndikim në rritjen ekonomike ka dhënë edhe sektori energjetik, por ministri u shpreh optimist për zgjidhje të shpejtë, duke presupozuar marrjen e kontrollit të “CEZ Shpërndarje” nga shteti, që sipas ministrit do të sjellë një tjetër panoramë, “falë investimeve”. Sipas ministrit, CEZ keqmenaxhoi kompaninë dhe shkaktoi krizën energjetike dhe se marrja e kontrollit të kompanisë do t’i përmirësojë treguesit.
Qeveria shpreson te Banka Botërore për të marrë 100 milionë dollarë kredi, për blerje të energjisë dhe zgjidhjen e problemeve të CEZ-it.
Qeveria nuk parashikon politika të reja taksash për vitin tjetër, por vetëm rregullime për administrimin e tyre. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2013 parashikohen në masën 409 miliardë lekë ose 28.6 për qind e PBB-së. Ky buxhet mban një deficit prej 3.4 përqindësh të PBB-së dhe një plan investimesh me gati 5 për qind të PBB-së, ose 71 miliardë lekë. Investimet publike, 65 për qind, bazohen te huamarrja nga të huajt, pra do të jetë borxh me risk shkaktuar nga kursi i këmbimit në të ardhmen. Projekte të reja rrugore nuk do të ketë dhe do të synohet përfundimi i atyre të nisura.
Ard Kola, Shqip
Add new comment