Bluzat me flamurin e ngritur në Beograd, më të shiturat për festat e Nëntorit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Flamuri i dronit që u valëvit mbi qiellin e Beogradit gjatë ndeshjes eliminatore të Kampionatit Europian 2016, Serbi-Shqipëri është shndërruar në bluzën më të shitur në dyqanet e suvenireve në kryeqytet.
Vjollca Çela, pronarja e dyqanit të suvenireve “Artistike Ina”, pranë kafe “Europës”, thotë për ATSH-në se “në prag të festave të 28 dhe 29 nëntorit , një risi këtë vit në dyqanin tim janë edhe bluzat e stampuara me flamurin e ngritur me dron në Beograd, të cilat preferohen shumë sidomos nga të rinjtë”.
Në këtë bluzë, vijon ajo, janë stampuar dy patriotët e mëdhenj Ismail Qemali dhe Isa Boletini, si dhe harta e trojeve etnike, duke mos ia ndryshuar kompozimin, por vetëm ngjyrat në varësi të shijes së blerësve.
Ajo thekson se ” më i kërkuari ka qenë varianti i bluzës me flamurin origjinal, si ai që u shpalos mbi stadiumin serb”.
Sipas saj, bluzat çmimi i të cilave varion nga 1000-1200 lekë janë blerë shumë edhe nga shqiptarët që jetojnë jashtë, por edhe nga të huajt.
“Ajo që më çudit është dëshira e madhe e rinisë, për të blerë një bluzë të tillë”, shprehet Vjollca, sipas së cilës, ajo vazhdon prej ditësh të jetë në listën e një prej artikujve më të shitur dhe më të kërkuar.
Marseli, një i ri 23 vjeçar, shprehet se “e bleva bluzën sepse ndihem krenar që jam shqiptar”.
“Gjatë muajve tetor e nëntor, me flamurin e ngritur në Beograd, janë stampuar edhe gotat, flamujt të vegjël, spila, etj”, tregon Cela
Ndërkohë që si çdo vit nuk mungojnë edhe shitjet e simboleve kombëtare si flamujt kuq e zi, suvenire, aksesorë të ngjyrosur kuqezi apo të stampuar me shqiponjën, kapele dhe bluza, të cilat kanë shënuar një shitje rekord përgjatë muajit nëntor në dyqanet e suvenireve në kryeqytet.
Sipas vëzhgimit të ATSH-së, artikulli më i shitur rezulton flamuri kombëtar, çmimi i të cilit është 300 lekë dhe pas tij vijnë kapelet, bluzat, shallet, etj.
“Në prag të festave kërkesa të shumta kemi pasur edhe për bluza me flamurin kombëtar, për moshat e vogla, si dhe kostume popullore, të cilat i marrin që nga fëmijët e vegjël 4 vjeçarë deri tek nxënësit e gjimnazeve”, thotë Vjollca.
Përveç qytetarëve shqiptarë interesim të madh për simbolet tona kombëtare kanë paraqitur edhe turistë të ndryshëm, që ndodhen në Tiranë në këto ditë të prag festave.
Add new comment