Bie numri i azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/6867_1_1415.jpg?itok=J3ftqd1_)
Kërkesat për azil nga shqiptarët në Belgjikë kanë pësuar rënie. Këtë e ka konfirmuar vetë Ambasada e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, e cila i është drejtuar me një letër ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani.
Ambasada falenderon ministrin dhe autoritete shqiptare për reagimin që kanë patur menjëherë pas konstatimit se ka patur rritje të azilkërkuesve në Belgjikë.
“Falenderoj në veçanti autoritetet shqiptare për kundërveprimin në një situatë krize me azilkërkuesit. Situata të tilla ndodhin dhe mund të ndodhin kudo, por e rëndësishme është identifikimi i burimeve dhe veprimi konkret.”- thuhet ndër të tjera në letrën e Ambasadës belge.
Në letrën e nënshkruar nga këshilltari i ambasadës belge për çështjet e brendshme, Nys Andre, thuhet se pas vizitave të zhvilluara në qershor dhe tetor të përfaqësuesve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme për të Huajt të Mbretërisë së Belgjikës dhe reagimit të autoriteteve shqiptare efikasiteti ka prevaluar, dhe se konstatohet qartë një rënie e pastër.
Gjithsesi autoritetet belge kanë kërkuar nga pala shqiptare që të vazhdojnë pa reshtur përpjekjet për të parandaluar dhe goditur dukurinë e azilkërkuesve nga Shqipëria dhe çdo abuzimi tjetër me liberalizimin e vizave.
Letra është shoqëruar edhe me një grafik ku tregohet qartë se ditët e fundit ka patur një rënie të ndjeshme të kërkesave për azil.
Panorama
Add new comment