Bashkia: Papa Françesku ‘Qytetar Nderi’. Basha:Nder t’i dorëzoj titullin

Postuar në 17 Shtator, 2014 07:59

Bashkia e Tiranës i ka akorduar titullin ‘Qytetar Nderi’ Papa Françeskut i cili do të vizitojë vendin tonë më 21 shtator të këtij viti.

“Për mua, është një nder i veçantë që në emër të qytetarëve të Tiranës, t’i dorëzojë Atit të Shenjtë titullin ‘Qytetar Nderi’.”-shprehet Basha.

Motovacioni me të cilin Papa Françeskut i akordohet ky titull është në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë, për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave, në krye të Selisë së Shenjtë si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës, Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.

Një ngjarje të shënuar dhe një privilegj të veçantë e cilëson kreu i Bashkisë Basha, vizitën e Papa Françeskut më 21 shtator duke vlerësuar zgjedhjen e Tiranës si i pari vend Evropian që ai do të vizitojë.
Më tej në njoftimin zyrtar shtohet se Tirana dhe Shqipëria janë pa dyshim një shembull për mbarë botën i tolerancës dhe bashkëjetesës civile të njerëzve, në respekt të përkatësive të tyre fetare, sekulariste apo krahinore.
Sot, bota ka shumë nevojë për këtë shembull të shkëlqyer të respektit të besimtarëve dhe komuniteteve respektive për njeri tjetrin, që shqiptarët përçojnë ditë pas dite.

”Na ndajnë akoma katër ditë nga kjo vizitë apostolike por Papa Françesku thuajse ka mbërritur. Tirana dhe qytetarët e saj, pa dallim feje, krahine dhe ideje janë përgatitur për të pritur me zemër të bardhë, siç e ka zakon shqiptari, Papën e të thjeshtëve, Papën e afrimit dhe bashkimit të njerëzve, mikun e madh të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Qytetarin e Nderit të Tiranës sonë. “-thuhet në njoftimin e Bashkisë Tiranë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.