Basha letër Ramës: Gati të takohem për çështjet në interes të Shqipërisë.

Postuar në 24 Mars, 2014 02:43

ryetari i  Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka kthyer dje përgjigje letres se kryeministrit Edi Rama ne lidhje me kerkesen e kreut te qeverise per takim sy me sy me kreun e opozites, në lidhje me reformën territoriale.

Ne pergjigje te letres se ka marre nga Rama pak dite me pare, Basha i ka bërë të diturkryeministrit Rama se është i gatshëm të takohet për të diskutuar në radhë të parë për pesë prioritetet e marrjes së statusit, por edhe për reformën administrative-territoriale.

Letra e kreut të PD, Luzim Basha
‘Me keqardhje vërej se në letrën që më keni dërguar nuk ka të reja përtej qëndrimeve dhe veprimeve të deritanishme të shumicës suaj në lidhje me reformën administrative-territoriale. Kjo reformë kërkon si minimum konsensus politik mes shumicës dhe opozitës dhe si optimum kushtetues, gjithpërfshirje të publikut.

Konsensusi ka kuptim vetëm kur finalizohet me votim në sallën e Kuvendit. Në këtë pikë, as teoria, as praktika nuk lënë hapësirë për shpikje apo eksperimente. Në thelb, ju na ftoni të hartojmë me konsensus në komision, por të votojmë sipas numrave në Kuvend.

Me fjalë të tjera, ju na ofroni vitrinën e konsensusit, por jo vetë konsensusin. Ju i ofroni opozitës me dorën e komisionit diçka që mund t’i merret me dorën e Kuvendit. Detyrohem të ripohoj se opozita gjithnjë është e distancuar nga çdo lloj teatri politik kundër interesit dhe të drejtës së qytetarëve për një reformë konsensuale deri në miratimin përfundimtar.

Me këtë rast, më lejoni t’ju rikujtoj zoti Rama se ju keni bërë mandatet pas zgjedhjeve, por nuk i keni fituar në zgjedhje votat e një shumice të cilësuar prej 84 deputetësh.

Në vizionin tonë si opozitë, reforma administrative-territoriale para se të jetë një rivizatim i kufijve të bashkive dhe rajoneve, ka qenë dhe është mbi të gjitha reformë e fuqizimit të demokracisë e qeverisjes vendore dhe përafrimit të pushtetit vendor në Shqipëri me standartet më të përparuara europiane.

Është e trishtueshme që sjellja në rendin e ditës e kësaj reforme përkon me bllokimin e shumfishtë dhe të përsëritur të pushtetit vendor nga qeveria juaj. Dhunimi dhe kthimi prapa i autonomisë vendore në Shqipërinë e sotme i kompromenton rëndë dhe i vë në dyshim tundimin dhe qëllimet e shumicës suaj për të miratuar në mënyrë të njëanshme këtë reformë.

Megjithatë, pavarësisht ngushtimit gjithnjë e më kritik të hapësirës për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht rekordeve të arbitraritetit të mazhorancës dhe fjalorit të padenjë e arrogancës së atyre që kanë për detyrë të japin shpjegime dhe të përgjigjen për shqetësimet që ngren opozita, Partia Demokratike dhe unë i qëndrojmë e do t’i qëndrojmë deri në fund dialogut si vlerë dhe si mundësi e pazëvendësueshme për ecjen përpara të reformave në vend.

Në këtë kontekst, ne jemi të gatshëm të takohemi në çdo nivel, për çdo problem në interes të vendit dhe demokracisë, në radhë të parë për pesë prioritetet e marrjes së statusit dhe hapjes së negociatave me BE si interes suprem kombëtar. Por edhe për reformën administrative-territoriale.

Pika kyçe që mbetet për t’u pohuar qartë dhe publikisht është një dhe vetëm një: jeni apo nuk jeni për votimin me konsensus të kësaj reforme në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Konsensusi në komision është i pamjaftueshëm.

Vetëm pranimi i konsensusit do të bënte të mundur që takimi ynë të mos ishte një rilexim sy në sy i letrave që ju keni preferuar t’i shkëmbejmë publikisht’.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.