Barroso: Dalja e Greqisë nga Euro, efekt domino

Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso thotë se dalja e Greqisë nga zona euro do të përbënte një shkatërrim për popullin grek. Duke folur për çështjen në një intervistë për të përditshmen austriake "Die Presse", ai shprehu frikën se një ngjarje e tillë mund të ketë efekt domino.
"Për popullsinë greke, ky do të ishte një shkatërrim. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur në vendet e Amerikës së Jugut kur kanë falimentuar. Për më tepër, kjo do të ishte hera e parë që ne do të përballeshim me një dështim me pasoja të rënda, në një vend anëtar të bashkimit monetar. Kjo do të kishte gjithashtu efekte për vendet e tjera të zonës euro pasi do të shkaktonte një efekt domino"- tha ai.
Presidenti i Komisionit nuk shikon asnjë alternativë në përpjekjet e mëdha për ekonominë. "Ne shikojmë sigurisht se programet shtrënguese shkaktojnë recesion, por ato janë të nevojshme që Greqia të gjejë një kompetitivitet tjetër"- tha Barroso.
Albanian Screen
Add new comment