Bankat , fajtore pse janë fitimprurëse?

nga Ersuin SHEHU
Gjatë muajve të fundit sistemi bankar është përballur me ankesa publike, kryesisht nga përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe nga publiku i gjerë, që shprehen se bankat
nuk japin hua, nuk i ndihmojnë bizneset për të kaluar vështirësitë e krizës, dhe se po nxjerrin fitime të majme. Në fakt, pretendime të tilla nuk gjejnë mbështetje te shifrat zyrtare, pasi sipas të dhënave të publikuara nga AAB, në fund të muajit korrik, rritja vjetore e gjithë portofolit të huave ishte 7.8%, ndërsa vetëm në segmentin e bizneseve ishte 12.8%. Gjithashtu, në shtatë muajt e parë të vitit, sistemi bankar arriti një fitim
prej 2.7 miliardë lekë, me një rritje rreth 35% ndaj të njëjtës periudhë të
një viti më parë. Përkundrejt “akuzave” se bankat nuk po ndihmojnë biznesin me
likuiditet, fakti është se qoftë stoku i huave, qoftë huaja e re, e dhënë gjatë këtij viti, përbëhen në pjesën më të madhe nga paradhënie bankare dhe nga hua për kapital qarkullues për biznesin. Prej disa kohësh, por edhe për shkak të ngadalësimit ekonomik,
financimi i bankave ka një horizont më afatshkurtër sesa më parë dhe kjo sepse: (1) projektet serioze dhe cilësore janë më të pakta dhe (2) kemi rritje të rreziqeve në të gjitha ekonomitë, pra natyrshëm dhe në ekonominë shqiptare, si pasojë e krizës ekonomike
globale. Kjo e fundit sigurisht që ka rritur nivelin e kujdesit të bankave, kujdes që pasqyrohet jo vetëm në angazhimin e bankave në financime më afatshkurtra, por dhe në çmimet e shërbimeve apo produkteve bankare, të cilat logjikshëm duhet të përllogarisin
në kostot e tyre dhe çmimin shtesë të rrezikut të aktivitetit ekonomik që
ato mbështesin. Fakti pozitiv që duhet të evidentohet është se bankat po vijojnë të
mbështesin me hua ekonominë, pavarësisht rreziqeve të shtuara, por askush nuk mund të pretendojë që çdo biznes në vështirësi të trokasë në bankë dhe të përfitojë patjetër
hua. Bankat janë shoqëri tregtare me qëllime fitimi dhe, ç’është më e rëndësishme,
administrojnë kursimet e publikut të gjerë. Në kushtet kur ekonomia përkeqësohet dhe huat me probleme rriten, kujdesi i shtuar është gjëja më normale që mund të ndodhë,
për më tepër kur sot është imperativ një sistem bankar i sigurt dhe i aftë për të mbështetur ekonominë. Por, ndërkohë që bankat vazhdojnë të financojnë ekonominë, ndaj tyre ka
edhe të tjera “akuza” për fitime dhe/ ose interesa tepër të larta. Por a është ky një fitim i lartë dhe a ka ardhur falë interesave të larta? Sipas AAB-së, në fund të muajit korrik, sistemi bankar kishte një kthim nga kapitali prej 4.7% dhe një kthim nga aktivet prej 0.4%, norma kthimi këto që nuk mund të klasifikohen si të larta. E njëjta gjë
mund të thuhet edhe për interesat. Sistemi bankar ka ndjekur politikën monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, madje kjo politikë është pasqyruar te interesat e huave, në mos më shumë se ato të depozitave. Krahasuar me një vit më parë, bankat kanë një marzh interesi më të ulët mesatarisht me 0.3 pikë përqindjeje.
Nëse, për fat të mirë, fitimet e sistemit bankar këtë vit janë rritur, kjo sigurisht që nuk ka ardhur nga rritja e interesave, por në radhë të parë nga një ecuri më e qëndrueshme e kredive me probleme. Kjo sjell më pak shpenzime për provigjione dhe rezultat më
të mirë financiar; kësaj i shtohet dhe një kontroll më i kujdesshëm i shpenzimeve
operative, çka shkurton kostot. Në këto kushte, ekzistenca e bankave fitimprurëse nuk është aspak një e keqe, por një e mirë e madhe për ekonominë, sepse bankat fitimprurëse
janë banka më të forta, më të sigurta dhe në gjendje t’i shërbejnë më shumë ekonomisë përmes ndërmjetësimit financiar. Fitimet janë një burim i çmuar për mirëkapitalizim, po të kemi parasysh se në këto kohë për aksionarët nuk është e lehtë dhe e dëshirueshme
të injektojnë kapitale shtesë, siç është kërkuar dhe po kërkohet nga autoritetet rregullatore. Ndaj, tingëllon e pazakontë të fajësohen sot bankat pse ato janë fitimprurëse!
Mapo
Comments
Duhet nje guxim prej syleshi
<p>Duhet nje guxim prej syleshi te mbrosh bankat ne nje kohe kur interesi i kredise eshte marramendes dhe i paleverdisshm, perjashto rastet kur te ka ardhur litari ne fyt... Autori duhet ta dije besoj se bankat kur te japin nje kredi, ta marrin dyfish ate, perndryshe si shpjegon fitimet super te larte te bankave ndersa vendi eshte katandisur ne varferi!!! </p>
Add new comment