Arsim, sindikatat kundërshtojnë projektligjin e ri

Sindikatat e pavarura të arsimit kanë kundërshtime për dy nenet e projektligjit për arsimin parauniversitar, që lidhen me emërimet dhe shkarkimet e mësuesve në këtë sistem.
Ato kanë kërkuar ndryshim të nenit 61, në të cilin thuhet se një mësues largohet nga puna kur rezultatet e tij janë të ulta në krahasim me kolegët e tjerë.
Kryetari i Federatës së Arsimit, Xhaferr Dobrusha tha se, formulimi i nenit për shkarkimin e mësuesit nga drejtori, nëse klasa e tij nuk arrin rezultate të mira në mësime në raport me kolegët e tjerë, lë vend për abuzime.
Sindikatat e arsimit nuk janë dakord edhe ndaj emërimeve të mësuesve në arsimin parauniversitar.
Sipas tyre, vendosja e kriterit të masterit në projekligj do të rrezikojë largimin nga puna të arsimtarëve me arsim të mesëm profesional që punojnë sot në arsim, si dhe do të penalizojë shumë shkolla në zona të thella që do të mbeten pa mësues vizatimi, muzike e sporti.
Propozimet e sindikatave të arsimit i janë paraqitur komisionit kuvendor dhe në ditët e ardhshme pritet vendimi i tij, nëse projektligji do të kthehet në ministri për të përfshirë ndryshimet e kërkuara nga grupet e interesit.
Risitë e projektligjit për arsimin parauniversitar u prezantuan dy ditë më parë nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj në komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit.
Sipas projektligjit gjuha e huaj të jetë provim i detyrueshëm që në 9-vjeçare, dhe në gjimnaz. Një tjetër përcaktim që bëhet në këtë draft është mënyra e financimit, ku Ministria e Arsimit do të financojë shkollat parauniversitare private njësoj si ato publike. Në lidhje me kualifikimin e mësuesve, projektligji parashikon se edukatoret e kopshtit duhet të kenë diplomë Bachelor, ndërsa ato të arsimit fillor, të mesëm dhe të ulët, duhet të kenë edhe masterin e nivelit të dytë për të dhënë mësim.
Ballkanweb.com
Add new comment